Ndryshon LDK
Isa Mustafa duket se ka ndërruar mendje. Tash, njerëz të afërt të tij thonë se Lidhja Demokratike nuk do ta bllokojë reformën elektorale dhe kushtetuese.
Burime të gazetës “Express” pohojnë se kjo parti pritet t’i kundërshtojë vetëm amendamentet që kanë të bëjnë me kompetencat e Presidentit.
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nuk do t’i bllokojë reformat kushtetuese dhe zgjedhore kur ato të dalin për votim në Kuvend.
Pavarësisht se disa anëtarë nga partia e tij patën paralajmëruar diçka të tillë në shenjë revolte për mosrespektimin e marrëveshjes ndërmjet liderit të tyre, Hashim Thaçit e Behgjet Pacollit, e cila parasheh mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.
Burime të “Expressit”, brenda LDK-së, të mërkurën kanë thënë se në rast se marrëveshja e treshes nuk gjen zbatim, në Kuvend kjo parti nuk do t’i votojë vetëm amendamentet që rregullojnë kompetencat e Presidentit të shtetit.
Ato nuk do të marrin votën e deputetëve të Mustafës, ngase ky i fundit nuk dëshiron që Presidentja aktuale, Atifete Jahjaga, e cila është produkt i marrëveshjes së liderëve, t’i gëzojë kompetencat e reja.
“Ai nuk e konsideron Atifete Jahjagën si Presidente legjitime, sepse ka ardhur në pushtet si pasojë e marrëveshjes, e jo nga votat e qytetarëve, ndërsa amendamentet kushtetuese janë bërë për një President, i cili zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Për këtë, kryetari nuk dëshiron që zonjës Jahjaga t’ia japë ato privilegje, andaj ka vendosur që të mos i votojë amendamentet”, ka thënë një zyrtar i LDK-së. /Telegrafi/