Kalo te lënda

Kërkohet shtatotere për Hasan Prishtinën

Kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, Jahja Lluka, në 22-vjetorin e themelimit të shoqatës dhe në 100-vjetorin e shënimit të Pavarësisë së Shqipërisë, i është drejtuar kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, me një kërkesë për të mbështetur vendosjen e shtatores së atdhetarit të shquar dhe personalitetit të madh të historisë sonë kombëtare, Hasan Prishtinës, në kryeqytetin e Kosovës.

Në letrën e tij, adresuar kryeministrit Thaçi, thuhet se kërkesa-propozim, për ngritjen e shtatores së heroit kombëtar shqiptar Hasan Prishtina, në Prishtinë, në rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, bëhet me rastin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që shtatoren e heroit Hasan Prishtina ta ngrisin në Tiranë. “Besojmë se është shumë e arsyeshme dhe një obligim yni që të njëjtën ta bëjmë edhe ne si Kosovë”, thuhet në letër.

“Nuk besoj se ka nevojë për arsyetime të mëdha, pasi veprimtaria e heroit Hasan Prishtina për Shqipërinë dhe Kosovën është e njohur dhe dihet kontributi i tij madhor në këtë drejtim. Andaj, jemi të detyruar që t’ju drejtohemi juve dhe qeverisë që drejtoni, pasi që kërkesa jonë drejtuar Komunës së Prishtinës, respektivisht Kuvendit Komunal dhe kryetarit të Komunës, Isa Mustafa, ka hasur në vesh të shurdhër. Ka katër vite që kërkesa i është drejtuar Mustafës, por edhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, thuhet në letrën e kreut të Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, Jahja Lluka.

“Andaj, marrim guximi që të propozojmë edhe vendin e mundshëm për vendosjen e shtatores. Mendojmë se do të ishte një vend i përshtatshëm që shtatorja e Hasan Prishtinës të vendosej në hapësirën para Pallatit të Rinisë dhe Sporteve (ish “Boro e Ramizi”) dhe njëherit këtij kompleksi t’i vihet emri Hasan Prishtina, ka propozuar Lluka.

Kreu i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, në letrën e tij adresuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka sqaruar, gjithashtu, se kjo kërkesë do të ishte më së miri të aprovohej deri në shënimin, brenda këtyre javëve, të 22-vjetorit i themelimit të shoqatës, me ç’rast, Çmimi tradicional “Hasan Prishtina” do t’i ndahet ambasadorit Frank Wisner.