Kalo te lënda

Bukoshi e Tolaj sot në gjykatë

Deri para një muaji ka ushtruar pozitën e zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Kosovës, ndërsa të enjten Bujar Bukoshi do të ulet në bankën e “zezë” të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, për të dëgjuar nëse ndaj tij dhe ish-bashkëpunëtorëve do të konfirmohet aktakuza.

Ndaj Bukoshit, i cili dikur mbante pozitën e ministrit të Shëndetësisë, ndaj ish-sekretarit permanent të kësaj ministrie, Ilir Tolajt dhe ndaj nëntë personave të tjerë, të enjten do të mbahet seanca e parë për konfirmim të aktakuzës, derisa të tjerat janë caktuar për 20, 21 dhe 22 gusht, njofton “Zëri”.

Seanca do të mbahet një muaj pasi që prokurorja e EULEX-it Maria Bamieh ka përfunduar hetimet dhe kështu ka ngritur aktakuzë, sipas së cilës Bujar Bukoshi, Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, Nexhat Shabani, Ismet Hyseni, Hajrullah Fejza, Zenel Kuçi, Bekim Fusha, Alban Thaçi, Basri Asllani dhe Imer Ajeti, akuzohen për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave, keqpërdorim i autorizimeve ekonomike, lidhje të kontratave të dëmshme, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, derisa Tolaj dhe Nexhat Shabani akuzohen edhe për veprën penale të kërkimit të ryshfetit, apo përpjekje për të marrë ryshfet, evazion fiskal dhe pengim të provave.

“Nesër (e enjte) më shumë do të jetë seancë ku do të diskutohen çështje teknike ndërsa kam bërë kërkesë dhe ajo më është aprovuar që seanca të shtyhet, kështu që tri seanca do të mbahen më 20, 21 dhe 22 gusht”, ka njoftuar mbrojtësi i ish-sekretarit Tolaj, avokati Bajram Tmava.

Se seanca do të mbahet të enjten me fillim në orën 10.00 ka njoftuar edhe Misioni EULEX në faqen zyrtare të tyre. Në këtë seancë shokët e dikurshëm, Bukoshi e Tolaj, do të takohen pas muajve të tërë që nuk janë parë. Tolaj do të sillet nga burgu në të cilin qëndron që nga janari i këtij viti derisa Bukoshi me shumicën e të pandehurve të tjerë janë në liri.

Ilir Tolaj ishte arrestuar pas disa muajsh hetime nga EULEX-i me pretendimin se nga qershori i 2006-tes e deri në muajin e njëjtë të 2011-tes, Tolaj bashkë me Bujar Bukoshin e Arbenita Pajazitin kishin udhëhequr një fushatë kundër kompanisë farmaceutike “Jona Med” duke bërë kështu që “Jona Med” të mos fitojë tenderë në MSH.

Përkrahjen në bllokimin e kësaj kompanie, sipas aktakuzës, një kopje të së cilës e posedon gazeta, Ilir Tolaj e kishte pasur nga ministri Bujar Bukoshi dhe kështu që të dytë tashmë akuzohen se kanë shpërdoruar pozitën zyrtare.

Për më tepër, prokurorja Maria Bamieh në aktakuzën e ngritur pretendon se Bukoshi e Tolaj në bashkëpunim me Zenel Kuçin nga janari i viti 2007, deri në fund të viti 2011 kanë udhëhequr fushatë edhe kundër kompanisë “Sante Pharm”.

Përveç bllokimit të këtyre kompanive, prokurorja në aktakuzë pretendon se Bukoshi ka qenë direkt i implikuar në tenderë të ndryshëm duke përfshirë tenderin për penj kirurgjikë, paracetamol e po ashtu në tenderët për sëmundje të rënda, leokimi e sklerozë.

Tërë këto pretendime të prokurores pritet që të pandehurit t’i dëgjojnë në seancat që tashmë janë caktuar. Që nga ngritja e aktakuzës, në pritje të procedurës gjyqësore, Bujar Bukoshi është i liruar nga detyra në ekzekutivin e vendit në të cilin ka marrë pozitën e zëvendëskryeministrit pasi që Lista “Ibrahim Rugova”, pjesë e së cilës është edhe Bukoshi, kishte lidhur koalicion me partinë e kryeministrit Hashim Thaçi. /Telegrafi/