Ambasadorja amerikane gjatë kësaj jave në Kosovë
Ambasadorja e re amerikane, Tracey Jacobson do të arrijë në Prishtinë gjatë kësaj jave. Ajo është shprehur pro bashkëpunimit me popullin dhe qeverinë e Kosovës për t’i forcuar edhe më tej lidhjet e miqësisë ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës.
Jacobson përmes një video incizimi prezanton veten para qytetarëve të Kosovës, me ç’rast thekson se misioni i saj do të jetë ai i një partneri të fuqishëm në përpjekjet për forcimin e një demokracie shumë etnike dhe të një ekonomie të suksesshme drejt rrugës evropiane.
Ambasadorja e re e SHBA-ve në Prishtinë ka punuar për 24 vite në shërbimin diplomatik. Jabobson ka punuar edhe gjatë administratës së presidentit Clinton. Ajo ka shërbyer në Azinë Qendrore dhe vendet baltike, ndërsa së fundi ka punuar në Institutin e Shërbimit të Jashtëm në përgatitjen e gjeneratave të reja të diplomatëve amerikanë.
“Mezi pres të bashkëpunoj me qeverinë dhe popullin e Kosovës për t’i forcuar më tej lidhjet tona të miqësisë…. Misioni im do të vazhdojë të jetë ai i një partneri të fuqishëm në përpjekjet për forcimin e një demokracie shumë etnike dhe të një ekonomie të suksesshme drejt rrugës evropiane…”, shprehet ambasadorja Jacobson. /Telegrafi/