30 për qind e kosovarëve jetojnë jashtë vendit
Mbi 800 mijë qytetarë të Kosovës llogaritet se jetojnë jashtë vendit. Regjistri i mërgatës do të fillojë në 2013, pavarësisht çfarë thonë të tjerët, dhe se mërgatës duhet t’i sigurohen ulëse në Kuvendin e Kosovës. Kështu është shprehur ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, gjatë prezantimit të punës për shtatë muajt e këtij viti.
Makolli ka thënë se kritikat për regjistrim e mërgatës janë politika ditore të opozitës që sipas tij, po gabojnë rëndë që po e përdorin mërgatën për këtë gjë.
Sa i përket polisës së sigurisë, ai ka thënë se nuk do të mund të hiqet derisa Kosova nuk është anëtare e Kartonit të Gjelbër.
Makolli ka thënë se nuk është në dijeni për ndarjen e një buxheti për regjistrin civil, por sipas tij, hartimi do të fillojnë ngase me ligj Ministria e Diasporës obligohet që të krijojë listën e mërgatës.
Ai është këmbëngulës se opozita po e kritikon këtë projekt vetëm sa për politika ditore.
Makolli ka përmendur edhe përqindjen e qytetarëve të vendit të jetojnë jashtë Kosovës. Ai ka thënë se sipas statistikave jozyratare, janë diku rreth 30 për qind e popullsisë jashtë vendit, duke iu referuar mërgatës pas vitit ’45.
Ai ka përmendur edhe sigurimin e ulëseve për mërgimtarët në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se që dy herë kanë bërë kërkesë tek Komisioni për Ndryshime Kushtetuese, raporton KP.
Gjatë prezantimit të punës, ai ka përmendur edhe krijim e kushteve për votim nga qytetarët, duke thënë se kanë bërë kërkesë për organizim të zgjedhjeve në vendet ku jeton mërgata jonë. /Telegrafi/