Rritje enorme e çmimit të karburanteve
Çmimi i naftës është shtrenjtuar për rreth 10 centë që nga mesi i muajit korrik. Një litër naftë me datën 20 korrik mund të blihej për rreth 1 euro e 20 centë. Kurse tashmë një litër e naftës ka arritur në 1 euro e 30 centë. Naftëtarët thonë se ngritja e çmimit ka ardhur për shkak të ngritjes së çmimit të naftës në bursë, por edhe lëvizjen e fuqisë së euros në raport me dollarin amerikan.
Ngritja e çmimit të naftës po bëhet në kohën e pushimeve. Kujtojmë që vetëm në muajin korrik, kur ka ndodhur shtrenjtimi në Shqipëri, kanë hyrë afro 500 mijë kosovarë, kryesisht me vetura. Po ashtu gjatë këtyre muajve kemi një numër të madh të mërgimtarëve që i vizitojnë familjet e tyre në Kosovë. Ndërkohë që çmimi i naftës në bursë që nga 16 korriku ka rënë. Një barel naftë në burës më 16 korrik ka qenë 970 dollarë, kurse tash është 955 dollarë.
Selatin Kaçaniku, udhëheqës i organizatës “Konsumatori”, ka thënë se naftëtarët po bëjnë ngritjen e çmimit të naftës në kohën kur qytetarët shkojnë në pushime dhe u duhet më shumë karburante. Po ashtu kjo ngritje e çmimit po vjen edhe në kohën kur shumë mërgimtarë janë në pushime në Kosovë.
“Gjëja më e keqe është se ne kemi ngritje të çmimeve të derivateve në kohën e korrje-shirjeve, në kohën kur punët në bujqësi janë në pikën më të lartë”, ka thënë Kaçaniku.
Ai ka thënë se sa i përket naftës dhe disa produkteve të tjera duhet të formohen agjenci për rregullimin e tregut, sepse, siç është tani, pasojat po i bart konsumatori i Kosovës. Kaçaniku ka thënë se naftëtarët nuk mund të arsyetohen se për shkak të stoqeve nuk po mund të përcjellin trendin e uljes dhe ngritjes së çmimit të karburanteve.
“Gjithçka vjen nga moszbatimi i ligjit, pasi tek ne ligjet zbatohen më së shumti deri në 30 për qind. E me këtë zbatim dhe respektim të ligji tek ne ka çrregullime sa i përket shitjes së naftës, çmimeve dhe sidomos cilësisë së naftës”, ka thënë kreu i OJQ-së “Konsumatori”.
Në pikën e shitjes së naftës “Vera Petroll”, një litër naftë kushton 1 euro e 29 centë. Punonjësit në këtë pompë të benzinës kanë thënë se dy javë më parë 1 litër naftë ka kushtuar 1 euro e 21 centë, për t’u shtrenjtuar një javë më vonë në 1 euro e 26 centë.
Menaxheri i shitjes në “Al Petroll”, Argjent Gashi, ka thënë se çmimi i shitjes së naftës me shumicë brenda tri javësh ka pësuar një rritje prej 12 centë. Ai ka thënë se çmimi njëjtë është shtrenjtuar edhe në shitjen me pakicë. Ky shtrenjtim sipas tij ka ardhur pasi edhe çmimi në bursë është shtrenjtuar ashtu siç është shtrenjtuar edhe çmimi i furnizimit nga OKTA.
“Hib Petroll” është një nga kompanitë më të mëdha që merren me shitjen e naftës. Çmimi i naftës në pikat e shitjes së kësaj kompanie tanimë është 1 euro e 31 centë në pikën e Çagllavicës, kurse 1 euro e 30 centë në pikën e re në rrugën Fushë Kosovë – Sllatinë.
Zyrtarë të kësaj kompanie kanë thënë se çmimi i shitjes së naftës në këtë kompani ka qenë më i lirë në muajin korrik në pikën për Fushë-Kosovë, pasi atje kanë pasur çmime promovuese pasi është hapur pika e re.
Më datën 20 qershor në pikën në Fushë-Kosovë çmimi i naftës, sipas zyrtarëve të kësaj kompanie, ka qenë 1 euro e 23 centë. Kurse në muajin korrik ka qenë 1 euro e 25. E tashmë çmimi i naftës në këtë pikë është 1 euro e 30 centë.
Menaxher i shitjes në “Hib Petroll”, Bekim Jahiri, ka thënë se çmimi i naftës në vendin tonë varet kryekëput nga dy faktorë. Çmimi i naftës në bursë, sipas tij, luanë rol kyç në çmimin e shitjes në Kosovë. Por, rol të rëndësishëm luan edhe çmimi i dollarit, pasi nafta paguhet me dollar, kurse tek ne e përdorim valutën e euros, njofton koha.
“Në OKTA çmimi i naftës është 1 mijë 17 dollarë. Nëse kalkulohet ky çmim dhe i shtohen edhe pagesat në dogana dhe TVSH, atëherë çmimi në euro del 1 euro e 24 centë për litër”, ka thënë ai. “Nëse shitet ndër 1 euro e 30 centë, atëherë kompania shkon në humbje sepse ka edhe shumë pagesa të tjera, duke përfshirë edhe pagat e punëtorëve”. Ai ka thënë se lëvizja e çmimit në ditët e fundit varet më shumë nga çmimi i euros./standardi.info