Kalo te lënda

“Mobilizohet” opozita

Thirrja e Vetëvendosjes bërë partive tjera opozitare që mos t’i bashkohen kryeministrit Hashim Thaçi në qeveri, si duket ka pasur sukses.

Ditë më parë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i kishte bërë thirrje partive opozitare në Kosovë, që të mos bëjnë koalicion me qeverinë e Thaçit.

Sepse sipas Kurtit, bashkimi me këtë qeveri është bashkim kundër Kosovës.

E dy partitë tjera opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë garantuar Lëvizjen Vetëvendosje, se nuk do t’i dorëzohen presionit ndërkombëtar për bisedimet me Serbinë.

Anëtarë të LDK-së kanë thënë se subjekti që drejtohet nga Albin Kurti, nuk ka nevojë që t’i dërgojë thirrje LDK-së për punën e bisedimeve politike me Serbinë.

Sipas tyre, asnjë presion nga askush nuk mund të bëjë që kjo parti të bëhet pjesë e ndonjë trupi që do të negocionte temën e veriut.

E të sigurt që nuk do të hyjnë në “valle” për veriun janë shprehur edhe AAK-ja.

Ndërkohë sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë për Indeksonline se shpresojnë që thirrja e tyre të ndikojë që partitë tjera mos të bëhen bashkë me PDK-në duke e pas parasysh të keqen që po i përgatitet Kosovës nga kjo Qeveri.

“Kjo qeveri po i përgatit të keqen Kosovës, qoftë në aspektin politik për negociata për veriun, qoftë në atë ekonomik me shitjen e aseteve publike, strategjike për ekonomike e Kosovës. Çdo pjesëmarrje në një koalicion me partinë në pushtet, do të thotë edhe pjesëmarrje në këto procese, shumë të dëmshme për Kosovën. Ne shpresojmë se do të mbizotëroje arsyeja e shëndoshe që të gjitha subjektet tjera ta vënë interesin e vendit e të popullit para atij partiak e personal dhe mos të ja zgjasin jetën kësaj qeverie më” thënë Molliqaj për Indeksonline.

Çdo ditë me tepër e tyre në pushtet, sipas Vetëvendosjes, është ditë e humbur për Kosovën si shtet./Indeksonline/