Kalo te lënda

Lokalizohen zjarret në bjeshkët e Deçanit

Zjarrfikësit kanë arritur në malet e Deçanit, të cilat janë përfshirë nga një zjarr i madh, duke vënë në rrezik edhe jetën e banorëve të asaj ane. Raportohet se Bjeshka e Madhe e Deçanit dhe Batusha e Junikut, janë përfshirë nga një zjarr i madh.

Sipas banorëve lokal zjarri është duke shkaktuar dëme të mëdha, ndërsa janë ankuar edhe për mosinteresim të autoriteteve për të ndaluar këtë zjarr.

Ndërkaq, siç raporton KTV, vatrat e zjarreve në bjeshkët e Deçanit janë lokalizuar. Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Zeqir Kelmendi, i ka thënë KTV-së se zjarrfikësit kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë situatën në kontroll.

“Aktualisht, nuk ka rrezik, intensiteti i zjarreve ka rënë dhe po punohet në shuarjen e tërësishme të tyre”, ka deklaruar Kelmendi.

Zjarr në bjeshkët e Deçanit

09:43 – Një zjarr i madh që ka nisur prej ditësh në Bjeshkët e Deçanit ka arritur të shpërndahet në shumë pjesë të kësaj ane, përfshirë edhe disa fshatra.

Në fshatin Dashinofc, zjarri ka përfshirë një shtëpi, mirëpo nuk ka rrezikuar jetën e ndonjë qytetari.

Sipas banorëve, zjarri është duke shkaktuar dëme shumë të mëdha dhe ka vënë në rrezik edhe banorët tjerë që janë afër atyre pjesëve.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Deçanit, Admir Hasanaj, i ka thënë KTV-së se intervenimi i autoriteteve përgjegjëse gjatë natës ka qenë i pamundur për shkak të terrenit të rrezikshëm.

“Ne kemi kontaktuar me Qendrën e Situatës në Qeveri, dhe kemi vendosur që deri sot në mëngjesin të mos ndërhyjmë, për shkak se terreni është shumë shkëmborë dhe është shumë rrezik”, ka thënë Hasanaj.