Identifikohen 22 Moldave dhe arrestohen 11 persona
Policia e Kosovës, përmes aksionit të quajtur ‘Unaza’, ka arritur të arrestojë 11 persona dhe të identifikojë 22 femra që vinë nga Moldavia, e që ushtronin prostitucion në Kosovë.
Ky operacion, i cili ka zgjatur për një periudhë një vjeçare, nga policia është quajtur si një ndër rastet më komplekse që ka hetuar Policia e Kosovës së bashku me Drejtorinë për Hetime e Trafikimit për Qenie Njerëzore, e cila ka arritur të shkatërroi një rrjet të tërë, por që operacioni do të vazhdojë edhe më tutje.
Arben Paçarizi, drejtor në Drejtorinë e Krimeve, njoftoi se gjatë këtij operacioni, janë arrestuar 11 persona ku në mesin e tyre është edhe një zyrtarë shtetërorë. Personi është identifikuar si punonjës i Zyrës Rajonale për Punësim në Gjakovë, i cili ka qenë pjesë e këtij grupi duke i ndihmuar në forma të ndryshme.
Gjatë këtij operacioni, po ashtu Paçarizi ka lajmëruar se janë kapur rreth 11 mijë e 540 euro, janë identifikuar shumë dokumente të falsifikuar, pastrim parash dhe posedim ilegalë të armëve.
Gjatë prezantimit, në konferencë ishte edhe Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, i cili lavdëroi punën e Policisë së Kosovës, i cili tha se kohëve të fundit Policia e Kosovës ka bërë një punë të mirë.
“Të gjitha këto e rrisin besimin e Policisë së Kosovës. Këto suksese bënë që të ndihmojnë edhe procesin e Liberalizimit të vizave, Integrimit të shtetit të Kosovës në BE si dhe përmirëson imazhin e Kosovës karshi ndërkombëtarëve”, ka theksuar Rexhepi./Indeksonline/