Kalo te lënda

Franca s’e ndryshon qëndrimin

Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou, ka ripërsëritur qëndrimin e shtetit francez se sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është i pacenueshëm. Ai ka thënë se për normalizimin e gjendjes në veri, Qeveria e Kosovës duhet të bisedojë me qytetarët serb atje, ndërkaq faktori ndërkombëtar dhe Beogradi do të duhej ta ndihmojnë këtë proces.

Ambasadori Fitou në një intervistë për “Epokën e Re”, ka vlerësuar se çështja e veriut duhet të zgjidhjet brenda dokumenteve të cilat ekzistojnë në Kosovë, e jo me plane të reja apo kërcënime të ndryshme.

“Kam thënë shumë herë se zgjidhja e çështjes së veriut varët se si autoritetet e Kosovës u flasin qytetarëve atje. Ky është kushti kryesor për integrimin e atyre qytetarëve në jetën politike, kulturore dhe institucionale të Kosovës. Në këtë drejtim nuk pengon asgjë nëse autoritetet jashtë këtyre dy aktorëve (Qeveria-qytetarët) të marrin pjesë qoftë ato ndërkombëtare, apo Serbia”, ka deklaruar ambasadori Fitou.

Sipas tij për Kosovën më i rëndësishëm është përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë se sa dialogu me Serbinë. Në këtë kontekst Fitou edhe njëherë i ka bërë thirrje Serbisë që ta njeh realitetin e ri në shtetin e Kosovës.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, Serbia duhet ta merr parasysh këtë realitet. Ajo duhet ta kuptojë këtë realitet të ri dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën duhet të fillojë nga ky realitet. Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës nuk mund të shtrohen në tavolinën e bisedimeve”, ka thënë ambasadori Fitou duke shtuar se është iluzion të mendohet se zgjidhja për veriun të gjendet jashtë dokumenteve me të cilat funksionon shteti i Kosovës. “Është iluzion të mendojmë që të gjejmë zgjidhje jashtë këtyre dokumenteve të cilat i kemi në tavolinë. Këto mjete dhe dokumente janë, qytetarët, Qeveria e Kosovës, Plani i Ahtisarit”, është shprehur ai.

Sipas ambasadorit Fitou, Evropa ka tri prioritete të mëdha për Kosovën: atë të përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, avancimin e raporteve integruese në mes të Prishtinës dhe Brukselit si dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi.

Ambasadori francez nuk ka dashur t’i komentoi idetë e fundit për krijimin e një koalicioni të mundshëm në mes të PDK-së dhe AAK-së, me arsyetimin se nuk dëshiron të interferojë në punë të brendshme të shtetit të Kosovës. /Telegrafi/