Kalo te lënda

Dialog me Ekip?

Diplomatët ndërkombëtarë po përpiqen t’i bindin partitë kosovare që të bëhen pjesë e bisedimeve të reja Prishtinë-Beograd, duke iu bashkuar një mekanizimi të krijuar enkas për këtë çështje.

Burime të “Expressit” thonë se, përveç veriut, temë në bisedime pritet të jetë edhe përfaqësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. Gjatë këtij muaji, përfundimisht sqarohet se kush do t’i udhëheqë delegacionet e dy vendeve, presidentët apo kryeministrat.

Prishtina dhe Beogradi pritet të përfshihen në një proces të ri bisedimesh më së largu gjatë muajit tetor.

Por, paraprakisht, Bashkimi Evropian dhe diplomatët perëndimorë po bëjnë përpjekje që të sigurojnë një përfshirje më të madhe të spektrit politik kosovar në këtë proces duke krijuar madje edhe një mekanizëm për këtë, të ngjashëm me Ekipin e Unitetit që ishte pjesë e procesit të bisedimeve në Vjenë.

Një gjë e tillë, sipas burimeve ndërkombëtare, po konsiderohet mjaft e vështirë duke parasysh qëndrimet e subjekteve politike në opozitë.

“Vështirë të besohet se diçka e tillë mund të ndodhë, ngase opozitarët janë shprehur haptazi kundër bisedimeve dhe assesi nuk janë të gatshëm të marrin mbi vete peshën e një dialogu politik”, ka thënë një diplomat perëndimor i akredituar në Prishtinë. /Telegrafi/