Kalo te lënda

AKP-ja merr “Grandin”, dëbon ish-blerësin

Prishtinë, 7 gusht – Agjencia Kosovare e Privatizimit ka marrë përfundimisht nën menaxhimin e saj hotelin “Grand”, të privatizuar gjashtë vjet më parë. Të hënën AKP-ja ka dëbuar nga hoteli ish-blerësin e  kësaj ndërmarrjeje, Zelqif Berisha, duke vendosur në hyrje të hotelit personelin e sigurimit që të mos e lejonte hyrjen e askujt në këtë objekt. AKP-ja pos që ka marrë nën menaxhim 100 për qind të aksioneve të kësaj ndërmarrjeje, ka rikthyer këtë pronë, të cilën disa vite më parë Berisha e kishte regjistruar në emër të vetin në kadastrën e Komunës së Prishtinës. Berisha, që të hënën ishte ulur jashtë hotelit “Grand” për t’i pritur mediat, tha se i kanë mbetur vetëm rrugët ligjore për të rikthyer pronën që pretendon se është bërë e tija pas privatizimit të saj. Ai thotë se nuk do të heqë dorë nga kjo pronë që në orët e hershme të mëngjesit është vërshuar nga punëtorët e AKP-së nën mbështetje të policisë.

“Nuk më kanë njoftuar se do të ma uzurpojnë në këtë mënyrë. Nuk di pse AKP-ja po i frikësohet ligjit. As në Somali nuk bëhet kështu. Derisa të vendosë gjykata unë jam pronar i hotelit ‘Grand’, nuk lëshoj pe”, tha të hënën ish-blerësi i hotelit Berisha (gjerësisht në “Kohën Ditore”).