Kalo te lënda

72 % e Kosovarëve pro BE-së

Popullariteti i BE-së në Kosovë mbetet mjaft i lartë. Në një referendum për t’iu bashkuar BE-së, 72 % e qytetarëve të saj do të kishin thënë “Po”,  që është një përqindje e cila nuk ka ndryshuar fare nga dy vitet e kaluara.

Shumica besojnë se integrimi do të ishte një përparësi për Kosovën; pothuaj 90 % e të anketuarve e konsiderojnë si të rëndësishëm fuqizimin e lidhjeve me BE-në; dhe më shumë se 70 % e tyre e shohin integrimin në BE si një zgjidhje të mundshme për problemet ekzistuese në ekonomike.

Anketa, e cila është organizuar nga projekti i financuar nga BE-ja, “Perspektiva e BE-së në Kosovë” (EUPK) dhe e cila është realizuar në maj dhe qershor të vitit 2012 nga “UBO Consulting”, përmbante 1,500 intervista ballë për ballë me përfaqësues nga i gjithë vendi, shqiptarë, serbë dhe komunitete të tjera minoritare të Kosovës, të cilat kanë qenë të ndara sipas gjinisë, arsimimit, të ardhurave, dhe prejardhjes urbane dhe rurale. Një anketë e ngjashme është realizuar për Zyrën e BE-së në gusht të vitit 2010, e cila edhe shërben si mundësi e mirë për krahasim të disa trendeve dhe aspiratave në opinionin publik.

 

Të gjeturat kryesore të anketës janë prezantuar të martën nga zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, zëvendës udhëheqësi i operacioneve në Zyrën e BE-së / PSBE-së, Melvin Asin, zëdhënësi i Zyrës së BE-së/PSBE-së, Stojan Pelko, dhe udhëheqësi i operacioneve në UBO Consulting, Berat Abdiu.

 

Gëzim Kasapolli tha se 57% e të anketuarve besojnë se anëtarësimi i Kosovës në BE do të sillte dobi personale për ta, një nivel ky që është ngritur nga ai 54% në vitin 2010. “Unë jam veçanërisht i impresionuar me faktin që serbët e Kosovës kanë një pikëpamje dukshëm më pozitive për BE-në sot se sa që kishin në anketën e ngjashme, të bërë në vitin 2010”, tha ai. Rreth 30% e të anketuarve serbë kanë thënë se ata mendojnë që BE-ja është pozitive, në krahasim me 0% që ishin në vitin 2010, dhe shifra e atyre që mendojnë se BE-ja është një forcë negative ka rënë nga 98%, në vitin 2010, në 24% sot.

 

“Kjo anketë na jep një mjet shumë të mirë matjeje për veprimet tona të vetëdijësimit dhe madje edhe një bazë më të mirë për planifikimin e këtyre aktiviteteve në të ardhmen bashkë me Ministrinë e Integrimeve Evropiane,” tha Melvin Asin. Ai theksoi nevojën për menaxhimin e pritjeve, meqë koha që pritet për hyrjen e Kosovës në BE është shumë optimiste: 56% e të anketuarve kanë thënë se Kosova tani është e gatshme që t’i bashkohet BE-së; 34% besojnë se Kosova do t’i bashkohet BE-së “deri në vitin 2014” dhe 54% besojnë se Kosova do t’i bashkohet BE-së “brenda 5 vjetëve të ardhshme”.

 

Ndër të gjeturat e tjera të anketës së UBO-s, janë prezantuar disa trende interesante:

 

-Televizioni mbetet burimi më i përhapur i informacionit lidhur me BE-në, politikat dhe institucionet e saj; -Shfrytëzimi i internetit si burim lajmesh është rritur dukshëm që nga viti 2010, duke  e bërë atë si burimin e dytë më të përhapur të informacionit sot; -Gazetarët ende gëzojnë nivelin më të lartë të besimit publik, me vendimmarrësit e BE-së në vendin e dytë; -Niveli i besimit në OJQ/përfaqësues të shoqërisë civile ka rënë dukshëm, nga 18% në vitin 2010 në 7% sot./standardi.info