Vulin: S’ka pavarësi të Kosovës pa vullnetin e serbëve
Shefi i Zyrës së Qeverisë serbe për Kosovën, Aleksadar Vulin, ka deklaruar se në të ardhmen do të dëgjohet zëri i serbëve nga Kosova dhe, siç ka vlerësuar, nuk mund të jetë i pavarur jashtë vullnetit të serbëve.
“Serbët kurrë nuk do ta njohin Kosovën dhe ajo kurrë nuk mund të jetë e pavarur pa vullnetin e serbëve. Deri më tash serbët në jug të Kosovës ishin vëzhgues të rastit dhe kjo më nuk do të ndodhë. Ata kanë të drejtë të kenë zërin e tyre dhe do ta kenë edhe direkt dhe nëpërmjet Zyrës”, ka thënë Vulin për televizionin publik të Serbisë (RTS).
Ai, siç transmeton QIK-u, ka shtuar se për negociatat e Beogradit dhe Prishtinës, vazhdimi i të cilave pritet në shtator, do të vendoset në Qeverinë e Serbisë dhe se presidenti Tomisllav Nikoliq me “pjesëmarrjen absolute” do të ketë fjalën kryesore në atë vendim.
Po ashtu Vulin ka thënë se duhet arritur një marrëveshje në Serbi për atë se “nënkuptohet që Kosova është Serbi”.
Ai ka bërë thirrje që në Serbi të mos përdoret termi “institucione paralele” sepse, sipas tij, në Kosovë janë formuar në harmoni me Kushtetutën e Serbisë dhe financohen nga Beogradi. Ai ka thënë se “institucione paralele” janë ato që financohen nga Prishtina./Indeksonline/