Kalo te lënda

Vulin: S’ka pavarësi pa Serbë

Shefi i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën Aleksandar Vulin ka thënë se Kosova nuk mund të bëhet e pavarur pa vullnetin e serbëve. Sipas tij, serbët në Kosovë nuk do të jenë më vetëm vëzhgues të zhvillimeve.

Aleksandar Vulin ka deklaruar Kosova nuk mund të jetë e pavarur pa vullnetin e serbëve dhe se në të ardhmen zëri i tyre do të dëgjohet edhe më shumë.

“Serbët kurrë nuk do ta njohin Kosovën dhe ajo kurrë nuk mund të jetë e pavarur pa vullnetin e serbëve. Deri më tash serbët në jug të Kosovës ishin vëzhgues të rastit dhe kjo më nuk do të ndodhë. Ata kanë të drejtë të kenë zërin e tyre dhe do ta kenë edhe direkt dhe nëpërmjet zyrës”, ka thënë Vulin për televizionin publik të Serbisë.

Ai ka shtuar se për negociatat e Beogradit dhe Prishtinës, vazhdimi i të cilave pritet në shtator, do të vendoset në Qeverinë e Serbisë dhe se Presidenti Tomislav Nikolic me “pjesëmarrjen absolute” do të ketë fjalën kryesore në atë vendim.

Po ashtu Vulin ka thënë se duhet arritur një marrëveshje në Serbi për atë se “nënkuptohet që Kosova është Serbi”, transmeton Express.

Ai ka bërë thirrje që në Serbi të mos përdoret termi “institucione paralele” sepse sipas tij, në Kosovë janë formuar në harmoni me kushtetutën e Serbisë dhe financohen nga Beogradi. Ai ka thënë se, “institucione paralele” janë ato që financohen nga Prishtina./Indeksonline/