Suspendohet nga puna edhe drejtori klinik i Spitalit të Gjilanit
Është suspenduar nga detyra e tij edhe drejtori klinik i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Zjadin Hasani, i cili ishte përfolur për keqpërdorime bashkë me ish drejtorin e këtij spitali, Xhavit Hajdari.
Vendimin për suspendimin e tij e ka marrë ushtruesi i detyrës së drejtorit të spitalit në Gjilan, Abdylatif Latifi. Ai me këtë rast ka thënë se e ka suspenduar nga pozita e drejtorit klinik, Zijadin Hasanin duke e kthyer kështu ligjshmërinë në vend.
Latifi ka thënë se është i vendosur që brenda spitalit të Gjilanit, të kthejë ligjshmërinë dhe të vendos rend, rregull, disiplinë e transparence, shkruan koha.
“Unë e kam suspenduar nga pozita e drejtorit klinik Zijadin Hasanin, sepse ka mbajtur dy poste dhe unë realisht e kam kthyer në vend ligjshmërinë dhe ai do të vazhdojë të mbetet vetëm shef i repartit të pediatrisë, duke i bërë me dije atij dhe shokëve të tij se tash e tutje jemi të vendosur që ky spital nuk do të menaxhohet nga njerëz që e kanë sjellë buzë greminës dhe e kanë humbur besimin e pacientëve”, është shprehur Latifi.
Ndërkohë, Zijadin Hasani, në një deklaratë për media ka thënë se PDK është duke ndjekur me hu të gjithë zyrtarët e spitalit duke i suspenduar pa kurrfarë të drejte.
“Latifi në spital po e instalon çerdhen e aktivistëve të PDK-së, dhe se pas depolitizimit të suksesshëm, Spitali kërcënohet nga politizimi i skajshëm”, ka thën Hasani.
Sipas tij, drejtori i ri në mënyrë të paskrupullt anashkalon, izolon kuadrot me përvojë, ekspert të njohur, magjistra, doktor të shkencave mjekësore, bile dhe anëtarë të rregullt të akademive prestigjioze evropiane.
Ai ka thënë se në perudhën 2008-2012 ky spital ka shënuar shumë suksese në punë dhe ka absorbuar shumë investime që janë duke u shërbyer pacientëve./Indeksonline/