Presidentja në udhëkryq
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk do të bëjë ftesë për partitë tjera, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Presidentes. Ndërkohë që partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë paralajmëruar se nuk do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese, që parashihen të votohen se shpejti në Kuvend.
Një marrëveshje e arritur vitin e kaluar mes PDK-së, LDK-së dhe AKR-së për zgjedhjen e Presidentes, Atifete Jahjaga në krye të vendit, nuk po respektohet, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka bërë të qartë që ajo mund të ushtrojë mandatin e saj pesëvjeçar. Por me këtë vendim nuk pajtohen disa nga partitë që kanë qenë nënshkruese të marrëveshjes.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë nëpërmjet telefonit për Kosovapress se nuk ka ndonjë ftesë nga PDK-ja për partitë e tjera.
“Jo nuk jam në dijeni që PDK-ja ka ftuar për ndonjë takim partitë e tjera, pas kërkesës për të dhënë vlerësimin Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Jemi angazhuar dhe po angazhohemi që të kemi institucione funksionale dhe këto institucione, të cilat i kemi ndërtuar me shumë mund dhe sakrifica të mëdha, normalisht se ne duhet të jemi ata të cilët duhet t’i respektojmë. Ne jemi shumë të vetëdijshëm që ka qenë një marrëveshje mes liderëve të partive politike, por pas kërkesës për interpretim nga Gjykata Kushtetuese, normalisht marrëveshja nuk është në fuqi”, ka thënë Grabovci.
Për më tepër ai ka shtuar se LDK-ja edhe çdo subjekt tjetër politik, ka vlerësuar se është e rëndësishme të ketë reformë zgjedhore, reformë për ndryshimet kushtetuese dhe është vlerësuar se janë në interes të qytetarëve të vendit.
Në rastin konkret, Grabovci ka shprehur besimin se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do t’ia lejojë vetvetes që të ndjek politikën e bllokimit, apo të sabotimit, por përkundrazi do të jetë bashkëpunuese.
Ai ka thënë se partitë politike kanë përgjegjësi para votuesve të vet, që të votojnë për ndryshimet kushtetuese.
“Nuk kemi nevojë të ftojmë askënd, se çdo subjekt që është në skenën politike, edhe partitë politike, të cilat janë pjesë e Parlamentit të Kosovës, kanë obligim dhe përgjegjësi të veta që u kanë dhënë vet votuesit apo qytetarët, që t’i përfaqësojnë dhe t’i mbrojnë interesat e qytetarëve dhe assesi të punojnë vetëm për interesa të përftimit të çastit të subjekteve politike”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar bllokim të votimit të këtyre amendamenteve kushtetuese. Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se nuk ka nevojë për kurrfarë ftese dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka krijuar asnjë situatë të re.
Sipas saj ai vendimi thjeshtë lënë hapësirë për respektimin e marrëveshjes ekzistuese, me që nuk përjashton dorëheqjen e Presidentes, e as respektimin e marrëveshjes nga palët e tjera, përfshi këtu dhe PDK-në.
“Unë i kam dëgjuar disa deklarata publike që janë bërë, por për LDK-në takime të tilla nuk ka nevojë të mbahen dhe marrëveshje të reja nuk ka nevojë të lidhen, dhe ne me ngulm kërkojmë që të respektohet marrëveshja ekzistuese”, ka thënë Osmani
E pyetur për mundësin e bllokimit të votimit për ndryshimet kushtetuese, Osmani ka thënë se këtë bllokim po e shkakton PDK-ja dhe jo LDK-ja.
“Në fakt bllokimin po e bëjnë shkelësit e marrëveshjes, jo ne. Mos respektimi i marrëveshjes, natyrisht që ka rezultat në mos zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, sepse ato ndryshime, ato kompetenca të reja që parashihen në amendamentet kushtetuese, janë paraparë për një president të zgjedhur drejtpërdrejt, e jo për presidenten aktuale. Prandaj ne nuk pranojmë që të bëjmë për shfrytëzimin e kompetencave të Presidentes aktuale dhe këto ndryshime nëse nuk respektohet marrëveshja”, ka deklaruar ajo.
Ndërkaq subjekti opozitar tjetër Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka qenë pjesë e kësaj marrëveshje dhe gjithashtu e kundërshton mbajtjen e takimeve të tilla.
Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj Lëvizje, Visar Ymeri ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë pjesë e këtyre takimeve.
“Jo nuk ka ndonjë ftesë për takim dhe ne nuk do të jemi pjesë e asnjë takimi të tillë që mund të kërkojë dikush, apo organizojë dikush. Ne nuk kemi qenë as pjesë e marrëveshjes fillestare, që e ka nxitur këtë debat tash që e kemi dhe vazhdojmë të konsiderojmë atë marrëveshje përveç kundër kushtetuese edhe jashtë institucionale, dhe jemi kundër këtyre takimeve që i quajnë mes liderëve të partive politike, të cilat e shpërfillin tërë sistemin institucional që e ka Kosova”, ka thënë Ymeri për Kosovapress.
Gjithashtu ai ka shtuar se shumicën e amendamenteve kushtetuese, që parashihet të ndryshohen, Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i votojë.
“Për këto amandamente do të jetë një numër i madh amendamentesh nuk do t’i votojmë, ka mundësi që ndonjë amandament aty këtu të votojmë, por si mendësi dhe trajtimit të caktuar jemi absolutisht kundër dhe ka shumë gjasa që shumicën e këtyre amendamenteve t’i kundërshtojmë”, ka theksuar ai.
Ndryshe pritet që shumë shpejt të dalin në votim ndryshimet kushtetuese për kompetencat e Presidentit të Republikës dhe për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Por mos respektimi i marrëveshjes mes partive nënshkruese, ka bërë që të ketë përçarje rreth votimit të ndryshimeve kushtetuese./standardi.info