Kalo te lënda

Policia, kontroll edhe krushqve

Policia e Kosovës, ka nisur të kontrolloj edhe krushqit, në mënyrë që të parandalojnë rrezikimin e qytetarëve, nga përdorja e armëve nëpër ahengje.

Qe nga data 30.07.2012 deri 05.08.2012, policia ka regjistruar disa  raste të arrestimit dhe konfiskimeve të armëve që dyshohet se janë përdorur në mënyrë të kundërligjshme gjatë ahengjeve të ndryshme familjare.

Me qëllim të ruajtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve dhe parandalimit të të shtënave me armë zjarri në ahengje, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë masash përfshirë këtu edhe ndalimin e kolonës së dasmorëve dhe bastisjeve të ndryshme.

Në Policinë e Kosovës këtë verë janë regjistruar edhe raste të shkaktimit të lëndimeve trupore si pasojë e të shtënave me armë zjarri nëpër ahengje.

Vetëm gjatë fundjavës policia ka konfiskuar 19 armë të kalibrave të ndryshëm si dhe ka konfiskuar 267 municion të kalibrave të ndryshëm.

Policia e Kosovës apelon te qytetarët dhe kërkon nga ata që t’u shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre dhe sigurisë së të tjerëve.

“Nëse qytetarët nuk kursehen nga veprimet e tilla të kundërligjshme, policia konform detyrimit ligjor që ka, obligohet që të fillojë kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndalojë kolonat e dasmorëve për t’i kontrolluar personat e dyshuar dhe në situata të caktuara të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet për raste të tilla”, njofton policia.

Policia është e vendosur në luftimin e kësaj dukurie dhe gjatë javës së fundit ka arrestuar 9 persona për përdorim të armëve të zjarrit në ahengje të ndryshme familjare.