Kalo te lënda

Monti kritikon gjermanët: Mos fyeni ose nuk ka BE!

Intervista e kryeministrit italian, Mario Monti, për revistën gjermane “Der Spiegel”, ka ngjallur reagime në Gjermani. Kanë  reaguar partitë politike, ministri i Jashtëm, e deri tek kancelarja Angela Merkel. Deklaratat e Montit me tone “anti-gjermane”, janë cilësuar si “atentat ndaj demokracisë”.

Kryeministri italian ka deklaruar se “dorëzimi psikologjik” i Evropës duhet të parandalohet. Ai ka thënë se kriza në Eurozonë po fyen kombe të caktuara, dhe kjo mund të çojë në shpërbërjen e Bashkimit Evropian.

Por Sekretari i Unionit Kristiano-Social, CSU, Alexander Dobrindt, deklaratat e Montit me ndjenjë anti-gjermane, i ka vlerësuar si “atentat ndaj demokracisë”.  Ndërsa deputetët liberalë dhe ata të SPD-së kanë kërkuar me zë të lartë që Evropa të mbetet një “demokraci legjitime”.

Ka reaguar edhe ministri i Jashtëm, Guido Eestereelle, i cili është shprehur tej mase i irrituar me deklaratat e Montit. “Kontrolli parlamentar i politikës evropiane është i padiskutueshëm, sepse ka nevojë për një përforcim dhe jo për dobësim të demokracisë legjitime në Evropë”, ka thënë Westerwelle.

Ai i është përgjigjur në veçanti asaj pjese të deklaratës së Monti-t, se çdo qeveri ka nevojë për hapësirën e vetë të manovrimit, në mënyrë të pavarur nga Parlamentet, “pasi në të kundërt shpërbërja e Evropës do të jetë më e mundshme se bashkimi i saj”.

Edhe kancelarja Angela Merkel, përmes zëdhënësit të saj Georg Streiter, ka theksuar se nuk ka asnjë droje për rrezikun e rrëzimit të euros për shkak të krizës së borxheve publike. “Përsa i takon politikës së ndihmave për vendet që bëjnë kërkesë, si për shembull Spanja, në Gjermani do të vendosë Parlamenti i vendit”, ka deklaruar zëdhënësi i kancelares. /Telegrafi/