Vëllai i Skënderbeut, varri në malin e shenjtë Athos
Kronikat e kohës nuk e thonë se kush ua solli lajmin se pikërisht ata do të pikturonin në Malin e Shenjtë. Por edhe po të dihet, nuk është se ka ndonjë rëndësi. Ai që e solli u tha thjesht se nga Mitropolia i kishin thënë t ua dorëzonte në dorë kumtin e mirë dhe të gatiteshin sa më parë. Insistimi i Konstandinit dhe i Athanasit nuk mori asnjë përgjigje. Zografët, siç do të njihen gjithnjë e më shumë në historinë ikonografike të shekullit të XVIII, panë njëri-tjetrin në sy. Ia kishin dalë mbanë. Njësoj si pak syresh nga Epiri dhe nga Maqedonia Perëndimore dhe ca më pak shqiptarë, kolegë të tyre. Në fakt, kumti i Malit të Shenjtë, kishte kohë, që ishte bashkë me mitin dhe me kanonet e tij tek piktorët shqiptarë. E kishin sjellë të gjallë vizitorët e paktë atje, priftërinjtë, murgjit dhe akoma më pak specialistët e ikonave bizantine.
Në ditët e sotme
Bizanti, që dha shpirt më 1453, jeton si i gjallë në Republikën e Malit të Shenjtë, ashtu siç duket dhe sot e kësaj dite. Në kalendarin e tyre Julian fiksohet çdo gjë, ndërsa murgjit e pakët të 20 manastireve as nuk e njohin njëri-tjetrin. Për femrat duhet të harrosh praninë, ngaqë as edhe kafsha e gjinisë së saj, nuk lejohet të kalojë sinoret e “republikës”. Më kot u bë për këtë qëllim raporti i një deputeteje evropiane, i cili daton prej 2003-shit, për barazinë e gjinive, në këtë zonë. Ai nuk është votuar, siç mund të merret me mend, nga vetë deputetët grekë. Larg tyre, e vetmja gjë që e lidh Athosin me bashkëkohësinë është elektriciteti që punon me gjeneratorët që ka çdo manastir dhe prania në listën e vyer të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, vlerësuar për koleksionin e artit orthodhoks, për ikonat, afresket dhe për dorëshkrimet e vjetra dhe arkivat e çmuara.
Tek shqiptarët
Kaq i çmuar është Mali Athos, saqë është bërë edhe vend pelegrinazhi i medievalistëve të ndryshëm. Plot 50 vjet më vonë nga lajmi që u erdhi piktorëve korçarë, ndërsa ishte duke këqyrur në Malin Athos, medievalisti rus V. Grigoroviç do të gjente evidencat e para të emrit të Gjon Kastriotit, por edhe dokumentet që lidhen me Skënderbeun në oborrin e sulltanit. Dy akte në serbishten bizantine bënin fjalë për marrëdhëniet e të atit të Skënderbeut me Malin e Shenjtë. Akti i parë bën fjalë për një akt-dhurimi (akt-legjitim) i lëshuar nga Gjon Kastrioti në emrin e tij dhe të katër djemve të vet, në favor të manastirit të Hilandarit. “Akti u shkrua në vitin 6934”, që me kalendarin tonë përkthehet në periudhën prej 1 shtatorit 1425 deri më 31 gusht 1426. Gjoni do të shkruajë: “unë mëkatari dhe i pamerituari… Gjon Kastrioti me djemtë e mi Stanishin dhe Reposhin dhe Kostandinin dhe Gjergjin… dhe pasi u këshillova me djemtë e mi i dhuruam manastirit të shenjtë sipas fuqisë sonë… fshatin Radostushë me kishën e Shën Marisë së Papërlyer që është në atë fshat Radostushë, si dhe fshatin Trebisht…”. Më tej, në akt, Gjon Kastrioti zotohet të heqë dorë nga të drejtat që gëzonin deri atëherë mbi këto dy fshatra, duke ia deleguar të drejtat manastirit të Hilandarit. Akti i dytë është një akt shitjeje, ku igumeni i manastirit, jeromonaku Athanas, në emrin e këshillit të murgjve të Hilandarit, i shet Gjon Kastriotit dhe tre djemve të tij pirgun e Shën Gjergjit së bashku me disa prona të kësaj kulle. “Gjon Kastrioti… shfaqi dëshirën të blejë pirgun e Shën Gjergjit për vete dhe për djemtë e tij, zotin Reposh dhe zotin Kostandin, dhe zotin Gjergj, së bashku me vreshtat, ullinjtë dhe të gjitha ato që i përkasin pirgut dhe me katër adelfate që ti zotërojnë zoti Gjon, zoti Reposh, zoti Kostandin, zoti Gjergj. Në rast se ndonjëri prej tyre largohet ti merret adelfati prej manastirit. Dhe kur të largohen (nga kjo botë) të katër personat e sipërshënuar, pirgu do ti kthehet përsëri manastirit dhe në librin e të vdekurve emri i tyre të përkujtohet derisa të ekzistojë Hilandari. Për të gjitha këto (Gjoni së bashku me tre djemtë e vet) i dhurojnë manastirit 60 florinj”1. Në të njëjtat dokumente do flitet sesi vëllai i Skënderbeut, Reposhi, djali i dytë i Gjon Kastriotit, vdiq si murg më 25 korrik 1431. “Sa për Reposhin, djalin e madh, Barleti na thotë se ishte ba mungar [murg], por përpara edhe ky qe me të tre vllazent i dhanë peng n’Adriene; e se aty, u martue me një zojë turkinë e pat me të një djalë, Hamza Kastriotin. Gjon Muzaka përkundra nuk e zën Reposhin të dhanun peng Sulltanit. Për të thotë se kishte qenë djalë shumë i përshpirtshëm e ishte ba mungar në manastirin e malit Sinai, ku kishte pasë jetue e dekë: Repossio predetto Ju uomo de santa vita e se n’ando at monte Sinai e se fe frate e li morese. (16). Kjo asertë e Gjon Muzakës dhe e disa shkrimtarve tjerë, se Reposhi nuk qe dhanë peng para se t’u bajte mungar, historikisht asht krejt e gabueme, tuj qenë se biografët e Skënderbeut, Hamza Kastriotin e diftojnë për djalë të Reposhit të lemë n’Adriene2. Në epigrafin e varrit, Reposhi mban titullin e lartë fisnik dukë”. (Ben Andoni/INA)