Kalo te lënda

SHBA pret rezultate nga dialogu Kosovë-Serbi

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, William Burns i ka thënë kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic, se “SHBA-ja pret përparimin e Serbisë në rrugën e integrimeve evropiane, vazhdimin e reformave dhe rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme në dialog me Prishtinën”.

Dacic ka shprehur bindjen se ndërtimi i bashkëpunimit të mirë me SHBA-në është “prioritet i Qeverisë së Serbisë”.

Ai ka deklaruar se Serbia dëshiron të vazhdojë rrugën evropiane, e cila, siç është shprehur, nënkupton harmonizimin e legjislaturës serbe me atë të BE-së, ashtu si edhe dialogun me Prishtinën dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura nga qeveria paraprake.

“Serbia do që të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”, ka thënë Dacic, në një bisedë telefonike me zëvendëssekretarin amerikan i Shtetit

Dacic ka nënvizuar se vendi i tij është i gatshëm të ndërtojë bashkëpunim më të fortë me SHBA-në në fushën e ekonomisë, të mbrojtjes, në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, ka njoftuar kabineti i Qeverisë serbe. /Telegrafi/