Mbërrin i nxehti 42 gradë
Tirana është e boshatisur në këto dite gushti. Një pjese e mirë e kryeqytetasve kanë udhëtuar drejt brigjeve të detit në vend apo dhe jashtë tij për të kaluar pushimet verore. Por, i nxehti afrikan që ka përfshirë të gjithë territorin e Shqipërisë ka bërë që edhe ata të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në Tiranë të mos dalin nga shtëpia, të paktën në orët e pikut.
Sipas parashikimeve të Shërbimit Meteorologjik, ditët më të nxehta ku termometri do të shënojë mbi 42 gradë në hije janë e hëna, e marta dhe e mërkura, më pas do të shënohet një rënie graduale.
“Ditën e sotme (të dielën), temperatura do të jetë rreth 39 gradë, por duke nisur nga e hëna dhe sidomos të martën, vlerat e temperaturave në pothuajse të gjithë vendin do të jenë më të larta se 42 gradë celsius. Vetëm pas mesjavës ka një tërheqje graduale të kësaj mase të nxehtë dhe do të ketë një zbritje graduale me 4-5 gradë celsius, me temperaturat që do të zbresin në 37 gradë”, u shpreh Rezarta Xhakollari, e Shërbimit Meteorologjik të Forcave Ajrore.
Fundjava e ardhshme pritet të shënojë një rënie të temperaturave me 4-5 gradë celsius dhe vranësira me reshje lokale të izoluara, por sërish temperaturat mbeten të larta.
Në këto ditë të nxehta gushti, rekomandohet që të moshuarit, të sëmurët kardiake dhe fëmijët të mos ekspozohen në diell dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje për të evituar dehidratimin e trupit. /Tch/