Kush po bëhet milioner në ANP?
Mungesa e linjës urbane Aeroport-Prishtinë, maltreton mërgimtarët në këto ditë kur të nxehtit afrikan ka përfshirë Ballkanin. Këtë mëse miri po e shfrytëzojnë taksitë e Lypianit, të cilët monopolizojnë qarkullimin ANP-Prishtinë, e ku ndodh qe për një udhëtim për në kryeqytet, t’u zhvatin mërgimtarëve deri në 70 euro.
Mungesa e një linje të rregullt Aeroport (ANP)-Prishtinë dhe anasjelltas po vështirëson udhëtimin e mërgimtarëve tanë në këto ditë të nxehta vere, përderisa mbush xhepat e taksive të cilët “shfrytëzojnë” për mrekulli situatën ekzistuese. Udhëtarët ankohen se për një relacion, Aeroport-Prishtinë (edhe me rrethinë), paguajnë deri në 60-70, por edhe më shumë nëse rastis qe të zbresin në tokën e Kosovës, në orët më të vona. Burimet e portalit informativ, standardi.info, kanë mësuar se komuna e Prishtinës nuk është fare në dijeni nëse ka ose nuk ka autobus të linjës urbane Prishtinë-ANP, dhe anasjelltas, përderisa në Ministrinë e Infrastrukturës bëjnë të ditur se nuk kanë ndodhur asnjë kërkesë zyrtare për lëshimin e një linje të tillë.
Siç duket Komuna e Prishtinës, nuk është e informuar mirë se a ekziston ndonjë linjë urbane për në Aeroportin “Adem Jashari”. Ketë e mësuam pasi qe kontaktuam me këshilltarin e kryetarit të Prishtinës Isa Mustafës, Asdren Osaj, i cili tha se qytetarët nuk kanë të drejtë të ankohen për mungesë të qarkullimit të autobusëve ANP-Prishtinë, sepse një linjë e tillë ekziston dhe se vet i ka rastisur të udhëtojë ne këtë linjë. “Ekziston një linjë nga Prishtina për në Aeroport dhe se këtë përgjegjësi e mbulon kompania “Shpëtimi”. Unë kam udhëtuar disa herë me këtë linjë, dhe se kjo linjë është në qarkullim”, thotë Osaj.
Por, qytetarët e shumtë që vijnë nga ANP, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, e hedhin poshtë këtë vlerësim të Osajt, për faktin se ata japin argumente se një linjë e tillë nuk ekziston. Medea Xheku, ish-punëtore në ANP, nga rrethi i Prishtinës, thotë se nuk ekziston ndonjë linjë për udhëtarët Prishtinë-ANP, dhe se vet gjatë punës ka udhëtuar me veturë ose me kolegë, megjithëse ekziston një autobus që i mbledh punëtorët në orarin e hershëm të mëngjesit, por kjo nuk vlen për udhëtarët. Mërgimtari Gëzim Bytyçi, me vendbanim në Duseldorf (Gjermani), thotë se udhëton shpesh në linjën Prishtinë-Duseldorf, por asnjëherë nuk ka hasur në ndonjë linjë autobusi që do ti bartte udhëtarët nga Aeroporti deri në Prishtinë, (stacion të Autobusëve), për tu shpërndarë me pas nëpër destinacionet e caktuara. Ai thotë se ka paguar deri në 70 euro një taksi për në Prishtinë.
“E di se çmimet janë tepër të larta për një udhëtim kaq të shkurtër, por kur je me familje dhe fëmijë nuk mund të zgjedhësh. Taksitë qe rrinë në Aeroport është dashur ta kenë një tarifë fikse e jo të na terrorizojnë me këto çmime marramendëse. Këta mendojnë se ne kemi shumë para, por ne s’mund ti nxjerrim nga kriza këtë kategori, sepse kudo në perëndim po ndihet kriza”, theksoi ai. Pavarësisht insistimit tonë qe të marrim një vlerësim nga zyrtarët për informim të ANP “Adem Jashari”, për arsyet të mungesës së linjes urbane, një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Arsyetimi i tyre ka qenë se nuk mund të japin vlerësime pa mendimin e drejtorit dhe udhëheqësve të lartë të ANP-së. Kjo pritje dhe papërgjegjësi ka ndodhur plot 10 ditë. Ndryshe, nga Ministria e Infrastrukturës, Departamenti i Transportit Rrugor, informojnë se një linjë e tillë nuk ekziston për momentin.
Shefi i Kabinetit të Ministrisë së Infrastrukturës Lah Nitaj tha për standardi.info, se sipas Ligjit për Transportin Rrugor 2004/1, rregullimi i linjave të qarkullimit për transportin e udhëtarëve bëhet sipas kërkesave të operatorëve ekonomikë por edhe sipas interesit të tyre.
“Ne e dimë se mungesa e një linje të tillë shkon në dëm të qytetarit, kur e dimë se për të udhëtuar nga Prishtina për Aeroport dhe anasjelltas një drejtim kushton 25 euro. Ne vlerësojmë se funksionalizimi i një linje të tillë do të ishte me interes për qytetarët e vendit dhe do të lehtësonte qarkullimin drejt Aeroportit. Por një gjë e tillë mund të bëhet vetëm pas shprehjes së interesit të Operatorëve Ekonomikë në bashkërendim me autoritetet menaxhuese të Aeroportit. Një gjë e tillë deri me tani në Ministrinë e Infrastrukturës, përkatësisht Departamentin e Transportit nuk është adresuar asnjë kërkesë”, vlerësoi Nitaj. Departamenti i Transportit nga Ministria e Infrastrukturës e sheh shumë të nevojshme lëshimin e një linje të tillë, e cila do të lehtësonte qarkullimin e udhëtarëve, veçmas bashkatdhetarëve tanë.
Shefi i Kabinetit të Ministrisë së Infrastrukturës Lah Nitaj duket mjaft optimist për ta evituar këtë vështirësi, ai tha se një bashkëpunim i mirë mes dy komunave Lipjan-Prishtinë do ta evitonte këtë problem dhe do të ofronte shërbime më të mira, por edhe më ekonomike për qytetaret e Prishtinës.
E gjithë kjo tregon se edhe pas privatizimit të ANP-së, përkundër premtimeve për rritjen e cilësisë në shërbime, kjo nuk ka ndodhur. Me sa duket jo vetëm se u hëngrën fjalët (për cilësinë e shërbimeve publike-transportit), por burime brenda ANP-së bëjnë të ditur se edhe shkalla e sigurisë së udhëtarëve ka rënë që nga marrja në menaxhim nga Kompania “Limak”. Ky është një shembull se kompanitë menaxhuese janë të dhëna pas përfitimeve të mëdha milionëshe, pa qarë kokën për klientët e tyre të përditshëm, të cilët janë burim i të gjitha të ardhurave në ANP./Antoneta Marleku (standardi.info)