Kalo te lënda

KEK, foleja e keqpërdorimeve milionëshe, të përfshirë edhe të huajt

Prishtinë, 5 gusht – Organizata ÇOHU dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese (www.preportr.com) kanë prezantuar sot numrin më të ri te magazinës Preportr, në të cilën publikohet hulumtimi mbi sabotimin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) nga ndërkombëtarët e vendorët, nga njerëzit e kryeministrit Hashim Thaçi dhe këshilltarët e USAID-it.Pos përfitimit të grupeve të ndryshme të interesit, hulumtimi nxjerr se edhe këshilltarët ndërkombëtarë punuan në drejtim të sabotimit të kësaj korporate për ta përgatitur terrenin për privatizimin e distribucionit.

Në konferencën për shtyp të mbajtur me këtë rast, janë prezantuar fakte që çojnë në konstatimet se KEK është foleja ku keqpërdorimet kanë në përgjithësi vlera milionëshe, ku ndikimi politik është i pashmangshëm dhe ku më të dëmtuarit dalin konsumatorët, ndërsa më të shpërblyerat kompanitë serbe. Hulumtimi nxjerr se edhe hetuesit e Komisionit Evropian gjetën përfitime milionëshe nga ndërkombëtarët e vendorët, por që drejtësia i ka heshtur këto raste. KEK-u pashmangshëm del si Korporata e Korrupsionit pasi që shpërblimi i kompanive që dështuan në investime milionëshe, si dhe i atyre që nuk i përmbushën kontratat është fenomen mbizotërues.

Ngushtë i lidhur me tenderët e KEK-ut, bllokimit të prodhimit në disa raste për të blerë rrymë nga kompanitë e huaja, që kryesisht janë serbe, nga hulumtimi del t’i ketë kontribuar kushëriri i kryeministrit, Nijazi Thaçi.

Hulumtimi i Preportr dhe ÇOHU ka nxjerrë edhe se këshilltarët e huaj në KEK pyeten që nga blerjet e mëdha, tek dokumentet strategjike e deri në largim të punëtorëve nga puna. Nga komunikimet interne shihet se këshilltarët e huaj kontrollojnë prokurimin dhe blerjet që kapin vlera milionëshe, por fuqia vendim-marrëse e tyre shkon deri aty sa edhe iu rekomandojnë menaxherëve të distrikteve rajonale që të përjashtojnë punëtorë nga puna. Këta këshilltarë komunikojnë/ndikojnë edhe mbi deputetët, kur duhet votuar ndonjë dokument i rëndësishëm. Në anën tjetër, ata nuk i japin llogari askujt. Po ashtu, ata nuk marrin përgjegjësi për dështimet. Janë të padukshëm e të paprekshëm.

Kokë e këtyre këshilltarëve që kontrollojnë pothuajse gjithçka në KEK, sipas hulumtimit të Preportr, del të jetë shefi i këshilltarëve të USAID-it në këtë korporatë, Masoud Keyan.

Këto konstatime janë nxjerrë nga këqyrja e qarkullimit të mbi 1 miliard eurove, mbi 500 milionë eurove investime publike, që nga viti 2000, dhe i mbi 550 milionë eurove të dhuruara përmes 500 tenderëve publikë, që nga viti 2007, si dhe në fakte që pashmangshëm vërtetojnë se këshilltarët e huaj në KEK pyeten që nga blerjet e mëdha, tek dokumentet strategjike e deri në largim të punëtorëve nga puna.

Janë hulumtuar pjesa më e madhe e tenderëve me vlerë të madhe në KEK që nga gjysma e dytë e vitit 2007 e deri më tani. Në këtë hulumtim janë identifikuar 200 kompani përfituese të mbi 500 tenderëve të kësaj kategorie, që së bashku peshojnë mbi 550 milionë euro.

Preportr ka krahasuar edhe përfituesit e këtyre tenderëve dhe listën e kompanive që KEK-u i ka penalizuar në vitin 2010 për mos zbatim të kontratave me korporatën, ka gjetur se 25 prej tyre përputhen. Jo të gjitha janë kompani që kanë fituar tenderë, nga kategoria e tenderëve me vlerë të madhe, por pjesa më e madhe e tyre, ndonëse ishin treguar të papërgjegjshme me korporatën, sërish janë shpërblyer me tenderë milionësh.

Gjatë hulumtimeve, Preportr ka hasur në kontrata të mëdha që teknikisht ka qenë e pa mundur të lexohen, në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) dhe në të njëjtën kohë edhe në kontrata të cilave ju mungon vlera e përgjithshme me të cilën është shpërblyer kompania e caktuar, dhe me vlera të paqarta.

Një pengesë serioze e këtij hulumtimi ka qenë Zyra për Informim e KEK-ut. Megjithëse Preportr në vazhdimësi për po thuajse të gjitha çështjet, konstatimet që janë përfshirë, ka dërguar pyetje e kërkesa për qasje në dokumente zyrtare, në KEK nuk kanë pasur përgjigje, përveç kërkesës për t’i pasur listat e kontraktorëve të KEK-ut të angazhuar përmes prokurimeve prej vitit 2000 e deri më tani.