34 euro – 1 ar tokë e Kosovës
Nëse llogariten mijëra hektarë të tokave bujqësore pronë shoqërore të privatizuara dhe paratë e mbledhura nga ky proces, del se një ar tokë ka kushtuar vetëm 34 euro.
Një matematikë e thjeshtë të nxjerr në pah sesi tokat shoqërore krahasuar me çmimin real të tregut janë shitur me çmim qesharak. Në procesin e privatizimit deri më tash janë shitur 29200 hektarë tokë nga të cilat janë mbledhur vetëm 100 milionë euro, nëse llogaritet kjo shumë e parave del se një ar tokë ka kushtuar 34.24 euro.
Këta hektarë të shitur janë më shumë se gjysma e tokave shoqërore që ka poseduar Kosova të cilat tashmë janë në duart e pronarëve privatë. Për zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ky është sukses, kurse ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile drejtojnë akuza direkte duke thënë se shitja e tokave shoqërore ka pasuruar zyrtarë të politikës dhe se ka qenë kryekëput proces i manipuluar.
“Problemi i privatizimit të tokës bujqësore lidhet me shitje jotransparente të cilat mundohen që të mbahen larg syrit të opinionit publik. Këtu kemi të bëjmë me afera korruptive ne proces dhe rrjedhimisht shitjen e tokës bujqësore me çmime jashtëzakonisht të ulëta”, ka thënë për gazetën “Zëri”, Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i institutit për hulutmime zhvillimore Riinvest, njofton zëri. Sipas tij, shpeshherë të njëjtat janë bërë burime të pasurimit të shpejtë të individëve të lidhur me politikëbërjen në Kosovë./standardi.info