Tkurret “Lista” në Qeveri
Lista “Ibrahim Rugova” do të vazhdojë të ketë vetëm një përfaqësues në Qeverinë e Kosovës – ministrin e Ambientit, Dardan Gashi, ndërkaq, pozitat që i kanë mbajtur ish-zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi dhe ish-zëvendësministri i Financave, Astrit Haraqija, do të vazhdojnë të mbesin vakante.
Drejtuesit e Listës që ishte themeluar pas përplasjeve në Lidhjen Demokratike të Kosovës në mes të kryetarit të dikurshëm të kësaj partie, Fatmir Sejdiu dhe pretendentit për kryetar, Bujar Bukoshi, duket se nuk e kanë ndërmend t’i plotësojnë dy pozitat e lëna bosh javë më parë.
Bujar Bukoshi dhe Astrit Haraqija janë larguar nga Qeveria e Kosovës para një kohe, dhe atë vetëm pak kohë pas publikimi të lajmit se që të dy janë duke u hetuar nga prokuroria, si të dyshuar për vepra penale.
Ish-zëvendëskryeministri Bukoshi nuk ka dashur të flasë gjatë për zëvendësimin e tij, por vetëm se ka përsëritur se pozitën e tij nuk do ta zërë askush.
“Jo, unë kam thënë se po e pres vendimin e gjykatës dhe pastaj bisedojmë”, është shprehur ai shkurtimisht nëpërmjet telefonit, pa dashur që të flas për mundësinë e zëvendësimit të ish-zëvendësministrit Astrit Haraqija.
Për këtë çështje informata nuk japin as drejtuesit e Qeverisë së Kosovës. I pyetur se kur do të zëvendësohen dy anëtarët e larguar të Listës “Ibrahim Rugova” dhe nëse zëvendësimi i tyre ka lidhje me riformatizimin e mundshëm të qeverisë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se nuk ka informata dhe se për këtë çështje vendosë kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
Kohë më parë ministrja e Integrimeve në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se pas publikimit të Studimit të Fizibilitetit do t’i rekomandojë kryeministrit Thaçi që të bëjë “rokada” në kabinetin qeveritar duke u bazuar në dështimet e ministrave të caktuar karshi integrimeve evropiane.
Ajo ende nuk është tërhequr nga opsioni i riformatizimit të qeverisë, megjithëse ka pohuar se asnjë ministër nuk e ka “cak” me deklaratën e saj.
“E rëndësishme është se vendimin për riformatizimin e qeverisë e merr kryeministri i Republikës së Kosovës. Si ministre për Integrime Evropiane jam përgjegjëse për ta shikuar implementimin e planit të veprimit për partneritet evropian dhe reformat që duhet t’i ndërmarrin institucionet e Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane”, ka thënë ajo ditë më parë.
Ajo ka porositur anëtarët e kabinetit qeveritar që riformatizimin e qeverisë mos ta shohin si veprim të jashtëzakonshëm, ndërsa ka theksuar se aktualisht nuk ka vërejtje ndaj një ministri të caktuar, i cili do të mund të ndërrohej gjatë procesit të riformatizimit, shkruan “Zëri”. /Telegrafi/