Kalo te lënda

Serena Williams pa set të humbur, e artë në “Londra 2012”

Londër, 4 gusht – Tenistja amerikane Serena Williams në mënyrë impresive ka fituar medaljen e artë në LO “Londra 2012”, pasi që në finale ka mundur rusen Maria Sharapova 6:0, 6:1.

Po sot medaljen e bronztë në “Londra 2012” në tenis për femra e ka fituar bjellorusja Viktorija Azarenko, e cila në ndeshjen për vendin e tretë ishte më e mirë se sa rusja Marija Kirilenko, duke fituar me rezultat 6:3, 6:4.

Serena edhe një herë sot ka dëshmuar se kur është e përgatitur dhe nuk ka ndonjë lëndim, nuk “shoqe” në tenisin e femrave. Ajo për më pak se një muaj ka festuar dy herë në të njëjtin terren- së pari titullin e kampionit të Wimbledonit të sivjetshëm dhe tani të artën në LO.

Deri në finale ajo kishte mundur tenistet Jelena Jankoviq, Ursula Radvanska, Vera Zvonareva, Karolina Voznjacki dhe në gjysmë finale  Viktorija Azarenkan, dhe asnjëra nga këto teniste nuk arriti madje ta fitojë edhe një set të vetëm nga Serena. Ndërkaq, në finale ajo  humbi vetëm një gem gjithsej në setin e dytë.

Për Serena Wiliams kjo është medalja e tretë e artë nga Lojrat Olimpike, pasi që në Sidney, në vitin 2000 dhe në Pekin më 2008 kishte fituar të artat në garat e çifteve. Ajo në Pekin dhe në Sidney në garat e çifteve ka luajtur bashkë me të motrën Venus, me të cilën  po garon edhe në Londër, ku në gjysmë finale do të luajnë kundër ruseve Kirilenko dhe Petrova.