Rrufeja vret dy baresha shqiptare në Mat
Mat, 4 gusht – Një fëmijë 14-vjeçar dhe një grua 60-vjeçare kanë humbur jetën nga rrufeja, teksa kullosnin bagëtinë në malet e Matit. Ngjarja tragjike ka ndodhur tre ditë më parë, por është mësuar vetëm të premten, pas komunikatës së policisë, e cila duke iu referuar ekspertizës ligjore saktëson se vdekja e fëmijës dhe Xhemile Gjinit ka ardhur për shkak të goditjes së rrufesë. Dy viktimat, nga fshati Karice i komunës Baz të Matit, kanë qenë së bashku duke ruajtur bagëtinë në mal. Për t’i shpëtuar lagies nga shiu, që në fakt ka qenë shumë i rrallë, ata janë mbuluar me një plastmas, raporton BalkanWeb.
Me dy viktimat ka qenë dhe vëllai më i vogël i 14-vjeçares, por që është larguar për pak momente për të mbledhur bagëtinë. Gjithçka ka ndodhur sa hap e mbyll sytë dhe dëshmitari i skenës tragjike ka qenë fëmija 9-vjeçar.