Mustafa kërcënon edhe me mosvotimin e ndryshimeve zgjedhore
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka dhënë zotimin të premten për të mos votuar ndryshimet ligjore për zgjedhjet nacionale, në rast se kryeministri Hashim Thaçi insiston të mbajë mandatin e plotë kushtetues. Megjithëkëtë, ai shpreson shumë te Thaçi.
Mustafa ka shprehur bindjen se kreu i Qeverisë do t’i ndërrojë fjalët, ndërkohë. Atij i ka përshkruar cilësi prej njeriu që pendohet pas dhënies së deklaratave. Prandaj, ka thënë se do t’i bjerë pishman edhe deklarimit të fundit për ta çuar mandatin deri në fund.
“I ndërron shpesh fjalët, ashtu siç i ka ndërruar edhe për marrëveshje, që i ka shkelur fjalët e veta dhe fjalët e shkruara, kështu që unë fare nuk u besoj fjalëve të kryeministrit”, ka thënë lideri opozitar, derisa ndodhej në përurim të një ambulance në Prishtinë, shkruan koha.
“Unë besoj në një marrëveshje politike që e kemi bërë dhe insistoj që ajo marrëveshje të realizohet, sepse natyrisht që kryeministri ka dëshirë që, jo të vazhdojë deri në 2014-n, por të vazhdojë edhe më tutje, por do të jenë qytetarët ata që do të vendosin se kush cilin mandat do ta marrë”./Indeksonline/