“Londra 2012″ dëshmon afrimin e rezultateve mes dy gjinive
Londër, 4 gusht – Shpejtësia fenomenale e arritur nga tinejxherja kineze Ye Shiwen në Lojërat Olimpike “Londra 2012” ka shtuar mendimet se dallimi në sport mes femrave dhe meshkujve një ditë do të zhduket.
Ye, deri më tani ka fituar dy medalje të arta dhe ka thyer një rekord bote në Londër. Koha e saj, e arritur në stil të lirë, e ka rivalizuar atë të kampionit të meshkujve. Ka shumë shembuj për të treguar se dallimi mes gjinive ekziston dhe se është i pranishëm prejse femrat kanë filluar të garojnë përkrah meshkujve në ngjarjet ndërkombëtare të sportit.
“Dallime nuk do të ketë shumë shpejt, por vetëm në disa sporte dhe jo në të gjitha. Rezultatet në Londër po tregojnë se femrat po i përmirësojnë dita-ditës paraqitjet e tyre”, tha John Brewer, profesor i shkencave sportive në Universitetin “Bedfordshire” të Britanisë së Madhe.
Femrat për herë të parë në Lojërat Olimpike morën pjesë në vitin 1900 në Paris, katër vjet pas garave moderne të para të mbajtura në Athinë. Pjesëmarrja e femrave është rritur dukshëm prej asaj kohe, kurse femrat në Lojërat Olimpike “Londra 2012” përfaqësojnë 45% të atletëve pjesëmarrës. Ky dallim është shumë i madh në krahasim me Lojërat Olimpike “Los Angeles 1984” ku ishin të pranishme vetëm 23% dhe “Tokyo 1964” vetëm 13%.
Mirëpo, femrat nuk janë lejuar të garojnë në të gjitha sportet dhe në të gjitha distancat, sikur meshkujt.
“Ka sporte të femrave ku dallimi është shumë i vogël si maratona, vrapimi në 10 mijë metra dhe në distancat e gjata në not”, tha Brewer.
Femrat janë lejuar të vrapojnë në maratonë në Lojërat Olimpike të vitit 1984, kurse në garat e vrapimit në 10 mijë metra, kanë marrë pjesë në Lojërat Olimpike të vitit 1988.
Një studim i publikuar në vitin 2010 ka bërë të ditur se prej fillimit të Lojërave Olimpike moderne dallimi mes meshkujve dhe femrave në rekordet botërore është stabilizuar prej vitit 1896.
Përqindja e dallimit mes meshkujve dhe femrave në të gjitha ngjarjet sportive është 10%. Dallimi në stil të lirë në not (800 metra) është 5.5%, kurse në kërcim së gjati është 18.8%.
Ekspertët insistojnë se të rëndësishme janë dallimet fizike mes meshkujve dhe femrave.
“Femrat synojnë të kenë trup më të shëndosh, që i bën më të gjalla në ujë dhe nganjëherë ndihmon në shpejtësi”, tha Alexis Colvin, profesoreshë e ortopedisë. “Mirëpo, kur rrokullisen, atëherë femrat kanë masë më të vogël të muskujve dhe forcë, kështu që ky është një efekt që i bën meshkujt të kenë përparësi”.