Kalo te lënda

Ismet Beqiri sërish synon të bëhet kryetar i Prishtinës!?

Tre deputetët e LDK-së, Ismet Beqiri, Haki Demolli dhe Hashim Deshishku, janë në një garë jozyrtare për të marrë miratimin e partisë për t’u kandiduar për kryetar të Prishtinës. Deshishku, për “Tribuna Shqiptare”, e mohon një garë të tillë, ndërsa thekson se në partinë e tij nuk është diskutuar deri më tani se kush do ta përfaqësojë LDK-në në Prishtinë.
Edhe Beqiri dhe Demolli, në prononcime të mëparshme e kanë mohuar garën. Ndërkohë, sipas burimeve të gazetës brenda LDK-së, beteja kryesore do të zhvillohet midis këtyre tre kandidatëve, sepse mbizotëron bindja se secili prej tyre e ka gati të sigurt fitoren përballë kandidatëve të tjerë, sidomos kundruall PDK-së.

Të tre deputetët janë banorë të Prishtinës, me prejardhje nga rajonet e Llapit dhe Gollakut, ndërkohë që të ardhurit në kryeqytet nga këto vende janë mbështetësit kryesorë të partisë më të madhe opozitare. Po ashtu, burime të gazetës bëjnë të ditur se dy nga këta deputetë e kanë mbështetjen edhe të ambasadës amerikane në Prishtinë, dhe disa nga ambasadat “e forta”. /Telegrafi/