Kalo te lënda

Gjashtëpikëshi i Banit brenda pakos Ahtisaari

Rritja e numrit të deputetëve serbë në Parlamentin e Kosovës, amnistia për taksat e qytetarëve të veriut dhe për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe shtimi i një përfaqësuesi serb në Këshillin Konsultativ për Komunitete, janë vetëm disa nga veprimet që planifikohen në kuadër të dialogut për veriun, e që do të vlerësohen si koncesione jashtë pakos së Ahtisaarit.

Një varg veprimesh të tjetra, sipas planit të përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë, pjesë të të cilit i ka kuptuar gazeta Koha Ditore, pritet që të fuzionohen brenda pakos së Ahtisaarit. Katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zubin-Potoku, Zveçani dhe Leposaviqi, sipas burimeve të gazetës, do të kenë mundësinë që ta krijojnë një asociacion të veçantë.

Ky asociacion do të ketë asamblenë e vet dhe do të merret me menaxhimin, gjegjësisht ndarjen e buxhetit që do të ndahet nga buxheti i Kosovës,  ai i Serbisë por edhe nga donacionet ndërkombëtare. Do të emërohen edhe katër zyrtarë të lartë: një për policinë, një për kulturë, arsim dhe çështje religjioze, një për zhvillim ekonomik dhe një për infrastrukturë.

Kjo katërshe parashihet të funksionojë si një trup që i koordinon projektet dhe mënyrën e funksionimit të jetës në veri. Në këtë mënyrë sipas burimeve të gazetës, do të përmbushet njëra nga pikat e propozuara në raportin e vitit 2008 të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, për zinxhirin komandues të policisë së Kosovës./Indeksonline/