Brukseli: Edi Rama po i shkakton dëm të dyfishtë Shqipërisë
Presidenti i Partive Popullore Europiane në Këshillin e Europës, Luca Volonte, ka denoncuar dje në Tiranë sjelljen anti-integrim të opozitës shqiptare, duke e cilësuar mosvotimin e imunitetit si një befasi antievropiane që Edi Rama po i bën vendit të vet, por edhe Brukselit. “Edi Rama shtiret se nuk e di që ky ligj i ri për imunitetin është një nga kushtet thelbësore dhe të rëndësishme, në mënyrë që Bashkimi Europian të japë një mendim në favor të vazhdimit të procedurës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE” tha dje publikisht europarlamentari Volonte
Presidenti i Partive Popullore Europiane në Këshillin e Europës, Luca Volonte deklaroi se me qëndrimin për draftin e imuniteteve lideri i opozitës, Edi Rama, po dëmton Shqipërinë. “Edi Rama nuk resht së befasuari Europën. Befasia e fundit është refuzimi i tij për të votuar me 6 gusht heqjen e imunitetit të parlamentarëve dhe zyrtarëve të lartë”.
Presidenti i Partisë Popullore Europiane në KiE, Luka Volonte thotë se, “me këtë qëndrim Rama është rreshtuar në anën e atyre që nuk e duan transparencën”.
Kështu u shpreh kreu i Partisë Popullore Europianë në KiE, Lika Volonte gjatë një interviste, lidhur me zhvillimet politike në vend, e konkretisht për qëndrimin e Partisë Socialiste për të mos votuar në 6 gusht për kufizimin e imunitetit.
Ai shprehet i befasuar që Edi Rama është kundër kësaj reforme pasi ai vetë me herët ka kërkuar më shumë transparencë. “Kam mbetur shumë i befasuar kur kam marrë vesh këto ditë se pikërisht një nga dy liderët, pra Edi Rama i cili për vite të tëra ka reklamuar në të gjithë Europën me polemika kundër Berishës, idenë e një transparence më të madhe, dhe të një reforme për imunitetin, pasi ka parë dhe ka pranuar pjesën më të madhe të amendamenteve, ka vendosur nga ana tjetër të mos votojë një reformë shumë thelbësore. Pra ai që dikur thoshte dhe kërkonte më shumë transparencë sot është ai që nuk lejon që kjo transparencë të jetë pjesë e sistemit shqiptar”, deklaroi ai.
Sipas Luca Volonte fatkeqësia është se kreu i opozitës shqiptare shtiret se nuk e din që reforma për imunitetet është kusht thelbësor në mënyrë që Bashkimi Europian të vendosë t’i japë Shqipërisë statusin e kandidatit. Ai thotë se me këtë qëndrim Rama, jo vetëm që rreshtohet në anën e atyre që nuk duan transparencën, por dhe të atyre që nuk e duan Shqipërinë në Europë.
Volonte shprehu keqardhje që për herë të dytë Partia Socialiste dhe lideri i saj shtiren se nuk e dinë që ky ligj i ri për imunitetin është një nga kushtet që Komisioni Europian të japë një mendim në favor të vazhdimit të procedurës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Ajo për të cilën më vjen më shumë keq, është se për herë të dytë Partia Socialiste dhe lideri i saj Edi Rama shtiren se nuk e dinë që ky ligj i ri për imunitetin është një nga kushtet thelbësore dhe të rëndësishme, në mënyrë që Bashkimi Europian të japë një mendim në favor të vazhdimit të procedurës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pra vota kundër e Ramës po bën një dëm të dyfishtë, pra bën dëm duke u rreshtuar në anën e atyre që nuk duan transparencë në parlament, dhe për fat të keq, për herë të dytë renditet në anën e atyre që nuk e duan Shqipërinë në Europë. Unë mendoj, se është e drejtë të ftosh të gjitha forcat politike në parlament duke përfshirë dhe zotin Rama, për t’u menduar dhe njëherë për këtë qëndrim të tij sepse ky qëndrim është kundër Shqipërisë dhe kundër transparencës në Shqipëri”, vuri në dukje Volonte.
Kreu i Partive të qendrës së djathtë europiane në Këshillin e Europës tha se votimi i së hënës është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse më këtë reformë deputetët nuk janë më të paprekshëm, dhe fut në sistemin parlamentar një transparencë më të madhe, por dhe një përgjegjshmëri më të madhe të atyre që eventualisht mund të kryejnë krime. “Po ashtu, thekson Volonte, reduktimi i imunitetit sjell një barazi më të madhe të qytetarëve dhe deputetëve para ligjit. Këshilli i Europës përmes projektit antikorrupsion për Shqipërinë PACA, ishte një nga hartuesit e amendamenteve të nismës që demokratët paraqitën në Kuvend, sipas një modeli të avancuar të reformës së imuniteteve në Europë. Por sërish mazhoranca u tërhoq, duke i hapur rrugë kufizimit klasik të imunitetit, sipas propozimeve të opozitës me qëllim që ato të votoheshin në Kuvend më datën 6 gusht”.
Votimi i draftit për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë është caktuar më 6 gusht. Forca kryesore e opozitës, ka pranuar draftin por, që kjo reformë të miratohet në Parlament pasi të jenë marrë në shqyrtim edhe disa propozime të tjera të saj që synojnë sanksionimin në Kushtetutë të zgjedhjes me shumicë të cilësuar të Prokurorit të Përgjithshëm dhe anëtarë të dy gjykata më të larta në vend.