“Argat” i SHIK-ut
Hise në pronën e KBI “Kosova Export” kanë marrë edhe njerëzit e “grupit të Nazim Bllacës”. 4 hektarë e 83 arë në Llapllasellë ishin trashëguar nga Lubica Simiq në emër të Kruna Bllagojeviqit me aktvendim të ish kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka. I autorizuar si përfaqësues në Gjykatë ishte Shaban Syla.
Ish-kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka, në seancën e 16 Qershorit 2007 e ka njohur Shaban Sylën si person të autorizuar të Kruna Bllagojeviqit në bazë të një autorizimi që mbanë datën 26 qershor 2007. Kjo I bie që autorizimi është dhënë dhjetë ditë pas aktvendimit për trashëgimi. Por në aktvendim thuhet se autorizimi mban datën 5 qershor 2007.
“Koiha Ditore” ka siguruar aktvendimin e 16 qershorit të Gjykatës Komunale në Prishtinë si gjykatë trashëgimore me gjyqtarin Nuhi Uka në procedurën e shqyrtimit të trashëgimisë pas vdekjes së Lubica Simiqit nga Çagllavica. Në aktvendim thuhet se ndjera Lubica Simiq, e lindur me 4 mars 1923, ka vdekur më 26.06.2005. Ajo nuk ka lënë testament apo kontratë për pasurinë e paluajtshme që gjendet në zonën kadastrale Llapllasellë.
Gjyqtari Nuhi Uka e kishte shpallur Kruna Bllagojeviqin, siç thuhet bijë e trashëgimlënëses në tërë pasurinë trashëgimorë.
Në arsyetim të aktvendimit thuhet se në Gjykatën Komunale në Prishtinë është iniciuar procedura për shqyrtimin e pasurisë trashëgimore pas vdekjes së Lubica Simiqit, sipas propozimit të të autorizuarit, Shaban Syla.
Sipas aktvendimit, gjatë provave është konstatuar se tyrashëgimlënësja ka vdekur më 26.06.2005.
“Po ashtu është vërtetuar se e ndjera nuk ka lënë testament apo ndonjë shkresë për ndarjen e pasurisë së vet në rast vdekjeje dhe se nga pasuria i ka mbetur patundshmëria kurse trashëgimtarë ligjorë të ftuar në trashëgimi ka lënë Sllabodanka Stankoviq, Kruna Bllagojeviq dhe Sunqica Milliq”.
Në seancën gjyqësore të mbajtur më 13.06.2007 “trashëgimtaret ligjore” Sllabodanka Stankoviq, Kruna Bllagojeviq dhe Sunqica Milliq nuk kanë qenë të pranishme, por ato i ka përfaqësuar Shaban Syla si person i autorizuar.
Provë është prezantuar një autorizim i vërtetuar në Gjykatën Komunale në Prishtinë, Dega në Graqanicë, siç thuhet në aktvendim i datës 5 qershorit 2007, i cili “vërteton” se Sllobodanka Stankoviq ka autorizuar Shaban Sylën. Në autorizim thuhet se Sllobodanka Stankoviq dhe Sunqica Milliq kanë hequr dorë nga pasuria trashëgimore e cila u takonte me ligj pas vdekjes së nënës duke ia lënë të drejtën e trashëgimisë motrës së tyre, Kruna Bllagojeviq.
“Në emër të Kruna Bllagojeviqit, i autorizuari (Shaban Syla v.j.) ka deklaruar se e pranon në tërësi pasurinë-trashëgiminë pas vdekjes së nënë Lubica Simiq”, thuhet në aktvendim. “:Andaj Gjykata duke pasur parasysh këto që u cekën më lartë duke u bazuar në deklaratat trashëgimore të pjesëmarrësve në procedurë dhe në shkresat e tjera të lëndës vendosi si në dispozitiv. i autorizuari i trashëgimtarëve ligjore, në emër të tyre ka deklaruar se heq dorë nga e drejta e ankesës ndaj këtij aktvendimi”, shkruan në këtë aktvendim.
Në fakt, autorizimi që ka siguruar “Koha Ditore” mban datën 26 qershor 2007. Në emrin e Kruna Bllagojeviqit thuhet se Shaban Syla nga fshati Kizhnarek i Gllogovcit është i autorizuar që në emrin dhe llogarinë e saj në Gjykatën Komunale të Prishtinës mund të vendosë nënshkrimin e shitblerjes së pasurisë sipas listës poseduese….në Llapllasellë.
“Po kështu ai mund të marrë edhe vërtetimin mbi tatimin në pronë dhe të marrë edhe vërtetimin mbi tatimin në pronë dhe të marrë pajtimin e kompanisë “PIK Kosovo Polje” që nuk është e interesuar për të blerë patundshmërinë. Gjithashtu i jep të drejtë që të nënshkruhet në librin amë të blerësit”, thuhet në autorizim.
Shaban Syla është i afër i deputetit Azem Syla. Ai po gjykohet bashkë me Bekim Sylën, Shpresim Ukën, Sadik Abazin, Driton Hajdarin e Fahredin Gashin për krime që supozohet se i kanë kryer pas luftës si pjesëtarë të Shërbimit Informativ të Kosovës. Ata janë denoncuar nga Nazim Bllaca, i deklaruar si agjent i SHIK-ut.
“Koha Ditore”, ka biseduar të premten me Nuhi Ukën nëpërmjet telefonit. Ai ka mohuar se ka nxjerrë ndonjë aktvendim lidhur me pronat sa ka qenë kryetarë i Gjykatës Komunale të Prishtinës. Ai ka thënë se ka punuar vetëm në rastet me paraburgim dhe në çështje penale e kurrsesi në ato civile. Kur është pyetur se a ka ndonjë lidhje me grupin e Bllacës ai ka qeshur me zë.
“Jo lidhje skam me atë punë”, ka thënë ai. Ai ka mohuar se ka lidhje gjaku me Shpresim Ukën duke thënë se i ati i tij është i një fshati afër fshatit të tij. Kur i është lexuar aktvendimi dhe ka kuptuar se për çka bëhej fjalë, Uka ka thënë se i kujtohej në një rast trashëgimie ka punuar por vetëm e ka nënshkruar atë pasi, që sipas tij, është nxjerrë nga një bashkëpunëtorë profesionalë. Por në fakt ai ka nxjerrë aktvendimin.
“E vërtetë është, por paskam harruar. Detajet nuk i di or me pjesëmarrjen e bashkëpunëtorëve profesionalë ashtu ka qenë atëherë, është edhe sot. Është e mundur”, ka deklaruar Uka i cili ka shtuar se ka pasur raste kur nga njerëz si Shpresim Uka është keqpërdorur emir i tij./Indeksonline/