Kalo te lënda

Politika, mbron pasurinë e paligjshme

Institucionet shtetërore nuk kanë vullnet politik që të miratojnë ligjet e nevojshme që krijojnë mekanizma për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Kjo, sipas shoqërisë civile, po ndodh për faktin se me konfiskimin e pasurisë do të prekeshin interesat personale ekonomike të shumë politikanëve e zyrtarëve të lartë të Kosovës, të cilët brenda natës janë pasuruar. Megjithatë, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, është treguar mjaft ”bujar” duke iu dhënë afat OJQ-ve, që deri të hënën t’i paraqesin vërejtjet e tyre rreth Projektligjit për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, i cili do të procedohet në Qeveri për aprovim.

 

Numri dy i qeverisë, pavarësisht kritikave të shoqërisë civile, vazhdon të flasë në superlativ për një projektligj që sipas tij, është në përputhje me kriteret e Bashkimit Evropian. Mirëpo, përfaqësuesit e OJQ-ve vazhdojnë të insistojnë se Kosova ka nevojë që të ketë një projektligj kundër pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme, e jo kundër individëve.

 

Adem Gashi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thekson nevojën e përmirësimit të infrastrukturës ligjore sa i përket konfiskimit të pasurisë, si një nga mjetet më të dobishme për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, megjithatë thekson se politikbërja e Kosovës s’ka vullnet politik për fuqizimin e mekanizmave. Sipas tij, shumë pasuri, përfshirë këtu prona të ndryshme…të realizuara ndër vite nuk kanë mbulesë që mund të arsyetohen se janë krijuar në mënyrë të ligjshme.

 

Duke iu referuar hartimit të projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale nga Ministria e Drejtësisë, Gashi vlerëson se përmes këtij projektligji realisht e gjithë pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme do të amnistohet pasi që personat e përfshirë në krim kanë mundësi që në asnjë moment të mos jenë në pronësi të ndonjë pasurie të prekshme.

 

Madje, ai ka thënë se përmbajtja e tij nuk ofron zgjidhje më të mirë për ta luftuar pasurinë e paligjshme si dhe në formën aktuale është i pazbatueshëm. “Çështja e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme duhet rregullohet sipas nevojave të vendit dhe të mos proklamohen nga ekzekutivi standarde të ndryshme për t’u arsyetuar se konfiskimi nuk mund të bëhet edhe në vendin tonë përmes procedurës civile…”, ka thënë drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

 

Ngjashëm është shprehur edhe Admir Salihaj, nga Lëvizja “Fol”. Ai sqaroi se projektligji i ri dallon dukshëm nga dy projektligjet e para, pasi që siç ka deklaruar ai, “ky i riu mund t’i përmbushë standardet e BE-së, por nuk përmbush interesat e kosovarëve dhe si i tillë nuk ndëshkon asnjë përfitues të paligjshëm, duke marrë parasysh cili është sistemi i drejtësisë në Kosovë”.

 

Sipas tij, ky projektligj vetëm “e trashë” listën e legjislacionit , por nuk “trash” edhe arkën e shtetit. “Ky ligj do të duhej të fokusohej ekskluzivisht kundër pasurisë dhe jo kundër individit me një hetim penal dhe konfiskim civil. Megjithatë, dua të theksoj se dy nga kërkesat e shoqërisë civile janë përfshirë në projektligj, si për shembull, retroaktiviteti apo barra e pronës, por krejt në një formë tjetër nga ajo që kemi insistuar”, ka thënë Salihaj. E nga ana e tij, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dikasteri i të cilit ka hartuar projektligjin ka thënë se OJQ- ve iu është dhënë mundësia që deri të hënën t’i sjellin vërejtjet e tyre, derisa ka njoftuar se deri më tani vetëm një nga OJQ-të ka sjellë rekomandimet.

 

”Ata (shoqëria civile) janë koritur që kanë thanë se do të dalim nga grupi për hartimin e projektligjit, sepse në debate nuk duhet pasur hidhërime. Por, ajo që dua të them është se tashmë kemi një ligj të mirë dhe në përputhje me kriteret e BE-së që ka mbështetjen e plotë të BR dhe amerikanëve”, ka thënë Kuçi.

 

Sidoqoftë, Projektligji për kompetencat e agjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, është në fazën finale dhe pritet që brenda pak ditëve t’i dërgohet Qeverisë për miratim, dhe më pas i procedohet Kuvendit./standardi.info