Kalo te lënda

Paralajmërohen lehtësira doganore për bizneset

Më së largu nga Janari i vitit të ardhshëm me sistemin e ri do të hiqet zhdoganimi në kufi duke i lënë mundësi kompanive në cilën do pikë që kalojnë të zgjedhin se cilën vend dëshirojnë të shkojnë dhe aty të bëjnë pagesat e taksave pasi të kenë bërë shitjen.

Kështu është thënë gjatë një takimi që Doganat e Kosovës kanë zhvilluar me përfaqësues të komunitetit të biznesit të kryesuar nga Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu. Gjatë këtij takimi z. Gerxhaliu falënderoi Drejtorin Huruglica dhe bashkëpunëtoret e tij për bashkëpunimin e mirëfillte në mes të këtyre dy Institucioneve ku në mënyrë permanente organizojnë takime të ndryshme për ta avancuar partneritetin publiko – privat.

Ai thotë se një gatishmëri e tillë e Doganave të Kosovës duhet të jetë një model se si përmes këtij bashkëpunimi të jemi në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, forcimit të sektorit privat e në veçanti atij prodhues. “Jemi të vetëdijshëm për reformat që priten të implementohen më së largu deri në fund të këtij viti nga ana e Doganave të Kosovës”, vlerësoi Gërxhaliu, duke shtuar se për realizimin e këtij pikësynimi në mes institucionit që ai drejton dhe Doganës së Kosovës duhet avancuar bashkëpunimin dhe të arrihet nje vetëdijesim edhe me i avancuar i komunitetit te biznesit vendore.

“Vetë fakti që jeni shtylla kryesore e grumbullimit te buxhetit të shtetit është dëshmia me e mirë se sa e nevojshme është mbështetja nga biznesi dhe komuniteti në përgjithësi. Jemi të vetëdijshëm edhe për sfidat me të cilat ballafaqohen doganat e Kosovës, dhe i vlerësojmë sukseset e deritashme të Doganave të Kosovës”, tha Gërxhaliu

Ndërkaq, kreu i Doganava Naim Huruglica duke paraqitur planet e institucionit që ai drejton tha se pikësynim kryesor do të jetë lehtësimi i procedurave të doganimit paralelisht me eliminimin e të gjitha mangësive që mund të shfaqen. Sipas tij Doganat kanë nevojë për një bashkëpunim me kompanitë e biznesit për të arritur sukseset e dëshiruara. “Në këtë drejtim Doganat e Kosovës kanë nevojë për një partneritet me kompanitë afariste të Kosovës, nga të cilat përmbushet pjesa më e madhe e buxhetit. Doganat nga të cilat krijohen të hyrat kryesore të buxhetit varet funksionimi i jetës sociale në Kosovë. Andaj bashkëpunimin me komunitetin e biznesit e kemi bërë në shumë forma. Duke paralajmëruar reformat ë reja në sistemin e doganimit ai tha se ato nuk mund të bëhen pa ndihmën e komunitetit të biznesit”, theksoi Huruglica, duke shtuar se deri në shtator do të fillohet me një sistem të ri të doganimit. Kjo do të ndihmojë në lehtësimin e procedurave në zhdoganim por njëherësh do të mbyllin të gjitha vrimat e mundshme për abuzim.

Huruglica tha se të gjitha shtigjet për abuzim eventual mund të mbyllen me ndihmën e komunitetit të biznesit. “Bashkëpunimi ndërkombëtar me shtetet e tjera ka bërë që doganat të kenë më shumë informacione dhe mbyllje të malverzimeve të mundshme”, ka thënë Huruglica duke përmendur disa shembuj nga deklarimet e rreme e që janë të konstatuara nga informacionet.

Ai paralajmëroi se Dogana e Kosovës pritet në vijim të nënshkruajë marrëveshje edhe me 24 vende për shkëmbime informative lidhur me eksportet dhe importet e mallrave. “Me sistemin e ri dëshirojmë të ulim kontrollin më të ulët në dhjetë përqind. Ne dëshirojmë të kalojmë në sistemin e kreditimit të biznesit. Të gjitha shtigjet për abuzim eventual mund të mbyllen me ndihmën e komunitetit të biznesit. Nuk është interesi i Doganave falimentimi i ndërmarrjeve private, por vendosja e rregullit dhe disiplinës”, shtoi ai.

Gjatë gjashtë mujorit të parë shuma e mallrave në depot doganore është 57 milion euro më shumë se vitin e kaluar. Ndërsa deri në fund të vitit ti afrohen 800 milion euro. Me sistemin e ri taksat për mallrat e importuara nuk paguhen në dogana por shtyhen deri në momentin e shitjes./standardi.info