Kalo te lënda

Mustafa: Thaçi veç flet e i ha fjalët e thëna e të shkruara

Nuk u besoj fjalëve të kryeministrit. Unë besoj në një marrëveshje politike që e kemi bërë dhe insistoj që ajo marrëveshje të realizohet, ka thënë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa. Ai ka insistuar në respektim të marrëveshjes politike Thaçi- Mustafa- Pacolli, e cila çoi në zgjedhjen e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Por, jo me mandat të plotë, siç e interpreton tani Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Kryeministri punën me të lehtë që e bënë është me dhanë deklarata. Mirëpo, e ka cilësinë që edhe të pendohet kur jep deklarata. I ndërron shpesh fjalët, ashtu siç i ka ndërruar për marrëveshje. I ka shkel fjalët e veta dhe fjalët e shkruara. Kështu që unë fare nuk i besoj fjalëve të kryeministrit. Unë besojë në një marrëveshje politike që e kemi bërë dhe insistoj që ajo marrëveshje të realizohet. Sepse, natyrisht që kryeministri ka dëshirë jo të vazhdojë deri më 2014, po edhe më tutje. Mirëpo, do të jenë qytetarët ata që do të vendosin se kush cilin mandat do ta marr”, ka thënë Mustafa, transmeton “Kosovapress”

Sa i përket votimit të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për zgjedhjet, ai ka pohuar se asgjë nuk do të votojnë nëse ajo nuk është në harmoni me synimet e tyre themelore, të cilat janë paraparë me marrëveshje.

I pyetur për një Plan Ahtisari Plus, Mustafa ka thënë se s’ka asnjë plan Ahtisari Plus dhe se LDK  nuk përkrah biseda politike për veriun .

“LDK do të qëndrojë prapa politikave të veta. Ne do të japim kontributin tonë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Por jo në ndonjë grup të unitetit, apo grupe tjera hibrid që propozohen… Nuk do të përkrahim asnjë bisedë politike lidhur me kufijtë e Kosovës, apo pjesët dhe integritetin territorial të Kosovës. Ne konsiderojmë që këto biseda janë përfunduar në Vjenë”, ka thënë Mustafa. /Telegrafi/