Minoriteti turk kopjon OMONIA-n
Vendimi i organizatës OMONIA për mosnjohjen e censusit dhe regjistrimin e njëanshëm të minoritetit grek në Shqipëri, duket se u ka hapur oreksin dhe minoritetit mysliman që jeton në Trakën Lindore në Greqi.
Sipas burimeve të Top Channel në Ministrinë e Jashtme greke, zyrtare te saj janë njoftuar se dhe myslimanët që jetojnë në zonën e minoritetit në Trakë kanë kërkuar regjistrimin e tyre, për të mos e njohur dhe ata regjistrimin e popullsisë, që u krye në Greqi.
Ndonëse jo zyrtare, kërkesa është hedhur në diskutim në qarqet më ekstremiste në radhët e minoritetit mysliman, një pjesë e së cilit kërkon me ngulm përcaktimin e tij si minoritet turk dhe jo mysliman, sikundër është njohur prej Athinës zyrtare.
E ndodhur përballë këtij fakti, Ministria e Jashtme greke duket se nuk do të inkurajojë OMONIA-n në Shqipëri të vazhdojë regjistrimin, madje Athina nuk do të njohë zyrtarisht rezultatin e këtij regjistrimi, pasi sipas burimeve, kjo do të dëmtojë marrëdhëniet shqiptaro -greke dhe i hap Greqisë një front të ri, pikërisht në një prej periudhave më të vështira, që po kalon vendi si pasojë e krizës ekonomike, por edhe prej ndryshimeve politike të thella dhe shpesh të dhunshme, që po ndodhin në Mesdhe dhe Lindjen e Mesme.
Vendimi i OMONIA-s për regjistrimin e njëanshëm të minoritetit në jug të Shqipërisë ka përçarë jo vetëm minoritetin, por edhe Ministrinë e Jashtme greke, një pjesë e së cilës përkrah rrugën e moderuar dhe integruese të këtij minoriteti në vendin tonë, megjithë problemet e krijuara herë pas here në gjirin e këtij minoriteti.
Monitorimi prej organizmave europiane dhe Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me gjendjen e minoriteteve në vendin tonë është tashmë dhe pikënisja që Athina zyrtare ka vendosur në vlerësimin e saj për kushtet e minoritetit grek në Shqipëri.
Vendosja e Dhimitris Avramopulos në postin e ministrit të Jashtëm, duket se inkurajon pikërisht rrymën e integrimit të moderuar dhe pro europiane të minoritetit grek në Shqipëri. Vetë zoti Avramopulos dhe diplomatë të lartë greke nuk e kanë inkurajuar vendimin e OMONIA-s./TCH