Kalo te lënda

Koncesione të reja për veriun

Përfaqësues të lartë ndërkombëtarë po përgatisin një dokument bazë të dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë.

Dokumenti, pjesë të së cilit i ka marrë vesh gazeta, do të jetë pjesë e “pakos për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi” dhe parasheh disa veprime që duhet bërë nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë drejt arritjes së qëllimit që deri në fund të këtij viti normalizimi i marrëdhënieve të vendoset në praktikë pa pasur njohje të pavarësisë, shkruan “Koha Ditore”.

Sipas burimeve diplomatike, në raport me veriun e Kosovës parashihen shumë veprime në bazë të Pakos së Ahtisaarit, ndonëse emri i këtij dokumenti nuk do të përmendet për shkak të refuzimit nga serbët, por të paktën edhe tri veprime që nuk janë parashikuar as në planin e ish-presidentit finlandez për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.

Qeveria e Kosovës do të pranojë që të rrisë numrin e ulëseve të garantuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetin serb, do të shpallë amnisti për qytetarët e veriut që kanë kundërvajtje dhe nuk i kanë paguar shërbimet e ujit, të energjisë dhe taksat e tjera, si dhe do të krijojë edhe një ulëse shtesë për një përfaqësues të veriut në Këshillin Konsultativ për Komunitete të Zyrës së Presidentit.

Asnjëri nga këto veprime nuk janë të parapara në dokumentin e presidentit Ahtisaari, por do të interpretohen si gatishmëri e institucioneve të Kosovës për të lehtësuar jetën e qytetarëve serb të veriut.

Dokumenti i hartuar në tetë pika të ndryshme parasheh edhe veprime në kuadër të Planit të Ahtisaarit, i cili do të ketë interpretim të gjerë, i është prezantuar kryeministrit Hashim Thaçi gjatë qëndrimit të tij në Bruksel javën e kaluar, ndërkaq pritet që së shpejti t’i prezantohet edhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic, gjithashtu në Bruksel.

Gazeta ka provuar që të marrë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës rreth këtij plani, por ka qenë e pamundur, ndonëse në kushte anonimiteti ekzistimin e planeve për këto koncesione e kanë pranuar edhe zyrtarë të lartë qeveritarë. /Telegrafi/