Kalo te lënda

Digjen dy banesa në Podujevë

Dy banesa në qendër të Podujevës janë djegur tërësisht të premten. Sipas zyrtarëve të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, pos mureve asgjë tjetër nuk ka mbetur pa u djegur në këto dy banesa të pronarëve S. Hoxha e A. Gërguri. Për fat të mira, pasoja në njerëz nuk ka pasur, njofton koha.

“Rreth orës 10 e 47 minuta, një qytetar na ka njoftuar se në qendër të Podujevës është duke dalë tym. Ekipi i zjarrfikësve ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kemi konstatuar se dy banesa janë duke u djegur. Na janë dashur tri orë rresht të punojmë me intensitet për të lokalizuar zjarrin, ndërsa një ekip është duke vazhduar të qëndrojë aty për të monitoruar situatën”, ka thënë shefi i Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Podujevë, Milaim Ajvazi.

Sipas tij, në ndihmë u ka dalë edhe një ekip i zjarrfikësve nga Prishtina.

“Të dy banesat janë djegur rëndë dhe pos mureve asgjë tjetër nuk ka shpëtuar pa u djegur. Por, për fat të mirë nuk kemi pasoja në njerëz”, ka thënë ai.

Shkaku që çoi në djegien e këto dy banesave në Podujevë ende nuk dihet./Indeksonline/