Kalo te lënda

Tatimet me zor

Kur s’e duan me hatër e duan me zor. Kjo shprehje po i hyn në punë së fundi Administratës Tatimore të Kosovës, e cila përmes mbledhjes së detyrueshme të tatimeve po mundohet ta mbushë arkën e shtetit.

Bashkë me policë, zyrtarët e këtij institucioni në gjashtë muajt e parë të këtij viti, u kanë shkuar derë më derë atyre që i quajnë “të këqijtë” e shtetit.

Madje për t’i mbledhur tatimet nga këngëtarët e klubet e natës, e ka përshtatur edhe orarin e inspektorëve me aktivitetet e këtyre tatimpaguesve, shkruan Express.

Inspektorët punojnë deri në 2 pas mesnatës.

Këta, sipas kreut të ATK-së, Behxhet Haliti, janë biznesmenët që kanë mbi 3000 euro tatime të papaguara dhe të cilët ndikojnë në rritje e informalitetit ekonomik, në evazionin fiskal si dhe dëmtojnë arkën e shtetit duke nëndeklaruar obligimet e tyre tatimore.

“Vetëm në gjashtëmujorin e parë janë zhvilluar 3 bastisje me dhunë nga Njësia e Hetuesisë, 54 konsultime me prokurorë dhe policë, janë shqiptuar 9 gjoba nga po ky njësit si dhe janë pranuar 145 informata nga palët e treta”, thekson Haliti./Indeksonline/