Kalo te lënda

Serbët e Kosovës nuk e duan Vulinin

Beograd, 2 gusht – Përfaqësues të serbëve të Kosovës nga Anamorava ia kanë dërguar një letër gazetës së Beogradit “Danas” në të cilën kanë theksuar se “nuk kanë kurrfarë vërejtjesh personale në shefin mundshëm të Zyrës për Kosovën Aleksandër Vulin,por apelojmë se për shkak të asaj se çfarë na pret në bisedimet e ardhshme me BE-n- dhe me Prishtinën, njeriu i Zyrës të jetë nga terreni”, letrën në emër të bashkësisë serbe të Anamoravës e ka dërguar Nenad Gjorgjeviq.

Gjorgjeviq ka theksuar se “është i habitur me faktin se pas rezultateve të zgjedhjeve në të cilat SPS ka fituar më shumë se 55 për qind, Daçiq nuk ka forcë që me “përparimtarët” të arrijë marrëveshje rreth emërimit të shefit ë Zyrës për Kosovën”. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetës Danas nëse zgjidhje më e mirë nga Vulini do të ishte Kërstimir Pantiq, kryetar i “komunës” së Mitrovicës veriore, funksionar i Partisë Përparimtare Serbe (SNS -parti e Nikoliqit), Gjorgjeviq thotë se “ky do të ishte hap për të cilin duhet menduar seriozisht njerëz nga SNS të cilët nuk heqin dorë nga kandidatura e Vulinit”.

Nga ana tjetër kryetari i SPS-ti të Kamenicës Milan Aritonoviq mohon që banorët e Anamoravës t’i kenë thënë qeverisë së re të Serbisë të jenë të pakënaqur me zgjedhjen e Vulinit.