Kuq e Zi: Do flijohemi për ta mbrojtur detin Jon
Aleanca Kuq e Zi ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes për kufirin detarë me Greqinë, e cila po rinegociohet. AK deklaroi se kjo marrëveshje po rinegociohet “në mënyrë meskine nën urdhrin e kryeministrit Sali Berisha, i cili është marrë peng nga politika helene”.
Gjatë ditë së enjte Aleanca Kuq e Zi dhe aktivistët e saj kanë qenë në qytetin e Sarandës, prej nga ku me mjete lundruese janë nisur drejt vijës kufitarë detare me shtetin e Greqisë dhe kanë vendosur shirita të kuq në vijën kufitarë ekzistuese me shtetin grek për të kundërshtuar ndryshimin e kufijve. Nën sloganin “Shqipëria nuk është për tu shitur”, Aleanca Kuq e Zi ka kërkuar nga autoritetet e shtetit shqiptarë dhe atij grek që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë “për marrëveshjen e hartuar fillimisht mbi baza interesash elektorale të Sali Berishës dhe tani të rinegociuar nën rrogozin e politikës dhe diplomacisë së dështuar dhe gjunjëzuar të qeverisë shqiptare”.
“Shqipëria nuk është për tu shitur dhe Berisha e Samaras të mos tentojnë të prekin kufirin shqiptarë pasi ne do të mbrojmë më çdo kusht kufirin e Shqipërisë deri në flijim”, ka deklaruar Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, i cili ishte i pranishëm në vijëzimin e kufirit aktual detar me Greqinë, shkruan tema.

“Për Aleancën Kuq e Zi, popullin shqiptare dhe shtetin e shqiptarëve, spostimi mafioz dhe meskin i kufirit detar është tradhti kombëtare që nuk do të tolerohet për asnjë arsye, e mbi të gjitha në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit tonë”, tha ndër të tjera Spahiu.
“Nisma e Aleancës Kuq e Zi për mbrojtjen e integritetit të territorial të Republikës së Shqipërisë është misioni i patjetërsueshëm dhe për këtë, kjo lëvizje patriotike ka marrë mbështetjen masive të qytetarëve shqiptarë nga të gjitha trevat e tyre dhe emigracioni”, vijoi Spahiu.

“Aleanca Kuq e Zi vjen këtu në kanalin e Korfuzit për të vendosur kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë në mbështetje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Aleanca Kuq e Zi deklaron se ky është kufiri ndarës në mbështetje të standardeve të së drejtës ndërkombëtare, ky është kufiri që na e kanë lënë të parët tanë, ky është kufiri ku drejtësia shqiptare ka vendosur ndarjen mes dy shteteve”, deklaroi Spahiu.
Dhjetëra aktivistë të Aleancës Kuq e Zi dhe turistë të shumtë me mjete detare kanë mbështetur nismën e Aleancës KuqeZi për të mbrojtur integritetin territorial të tokës së tyre, “e cila po cenohet, cungohet dhe tregohet si të ishte pronë private e Sali Berishës dhe Antonis Samaras”./Indeksonline/