Kroaci, kapet shqiptari i fshehur në makinë
Policia kroate arrestoi dy shtetas shqiptarë për tentim të kalimit ilegal të kufirit. Sipas raportit të policisë kroate në pikën kufitare Karasoviq midis Kroacisë dhe Malit të Zi, gjatë kontrollit të një makine me targa italiane është zbuluar një shtetas shqiptarë i fshehur në karrigen e prapme të makinës.
Policia theksoi se 42 vjeçari nga Shqipëria që drejtonte makinën e tij me targa italiane nuk ka informuar autoritetet kufitare se brenda makinës kishte udhëtarin ilegal. Doganierët gjatë kontrollit kanë zbuluar se në karrigen e prapme ishte fshehur një 32 vjeçar, gjithashtu shtetas shqiptarë, pa dokumente identifikimi. Ata janë ndaluar menjëherë dhe kanë pranuar se synonin që të udhëtonin drejt Italisë.
Gjykata e Dubrovnik ka dënuar me gjobë me para shoferin e makinës, ndërsa 32 vjeçari i fshehur është deportuar nga territori kroat dhe pritet riatdhesimi i tij drejt Malit të Zi dhe më pas Shqipërisë. (INA)