Kosova në çfardo aspekti është një vend evropian
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, priti të enjten në takim zëvendës-ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Kelly Degnan, të cilën e uroi për detyrën e re në Prishtinë, si dhe e njoftoi me zhvillimet në Kosovë dhe progresin e vazhdueshëm që po arrihet në të gjitha sferat.
Hoxhaj shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përkrahjen e gjithanshme që SHBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për Kosovën, duke theksuar se “lidhjet SHBA-Kosovë janë të shenjta, dhe se do të mbesin të tilla përherë”.
Ai ka njoftuar zëvendësambasadoren amerikane edhe për heqjen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, për procesin e fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar, përmbylljen e procesit të njohjeve, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme ekonomike, financiare dhe politike në nivel rajonal dhe global.
“Kosova, historikisht, gjeografikisht dhe në aspektin kulturor çdo herë ka qenë një vend evropian dhe qëllim i jonë afatshkurtër dhe afatgjatë është anëtarësimi në strukturat euroatlantike, në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka thënë ndër të tjera Hoxhaj. /Telegrafi/