Cliff: Duhet Qeveri me shumicë solide në Parlament
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, nuk e ka ndërmend që të përzihet në politikën e brendshme, por, sipas tij, nevoja për një koalicion të fuqishëm me shumicë të afirmuar në Parlament është evidente para proceseve të rëndësishme që e presin Kosovën në shtator.
Ai në një intervistë për “Kohën Ditore”, theksoi se krahas mbështetjes për ndryshimet kushtetuese që do të përmbyllin pavarësinë, AAK-ja dhe LDK-ja e kanë për obligim që si parti të mbështesin edhe “qasjen nacionale për veriun e Kosovës”.
“Nuk pres që ‘Vetëvendosja’ ta mbështesë atë, por çfarëdo që të jetë konstalacioni mendoj se krerët e PDK-së, LDK-së dhe të AAK-së do të duhet të punonin së bashku për këtë çështje nacionale. Nuk është e domosdoshme që të jenë në Qeveri, por duhet të kenë qasje të përbashkët”, ka thënë Cliff.
Duke folur në detaje për qasjen karshi veriut dhe normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ambasadori britanik ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të flasë me serbët e veriut, por edhe me Beogradin për integrimin e veriut brenda kufijve ekzistues të Kosovës. /Telegrafi/