Kalo te lënda

Në negociatat për Kosovën – Daçiq dhe Nikoliq

Bruksel, 1 gusht  – Brukseli kërkon nga autoritetet e reja në Beograd që dialogu me Prishtinën të vazhdojë sa më parë, ndërkaq sipas paralajmërimeve, së shpejti edhe Beogradit edhe autoriteteve të Kosovës do t’u bëhen të ditura kërkesat e BE-së për dialogun politik, shkruan shtypi serb, raporton Qik-u.

Mirëpo, Qeveria e Serbisë gjatë gushtit do të përcaktojë platformën për vazhdimin e bisedimeve, kurse takime konkrete në relacionin Beograd-Prishtinë nuk do të ketë sipas të gjitha gjasave, para shtatorit.

Me gjasë vendimet për Kosovën më nuk do të miratohen vetëm në një pjesë të pushtetit, siç ka qenë deri më tash, por përgjegjësia do të ndahet midis përfaqësuesve të Presidencës dhe Qeverisë, shkruan gazeta “Blic”.

Autoritetet e reja në Beograd kanë paralajmëruar se dialogu me Prishtinën do të ngrihet në një nivel më të lartë politik., e kjo praktikisht do të thotë dialog për zgjidhjen “përfundimtare” të statusit të Kosovës. Mirëpo, paraprakisht duhet të mbyllen pjesët serioze të negociatave teknike, si çështja e energjetikës, e cila prek në nivelin politik.

Për pjesën teknike të dialogut për momentin jozyrtarisht përmendet se do të jetë i ngarkuar Marko Gjuriq, këshilltar i Presidentit të Serbisë . Negociatat politike nënkuptojnë aktorët në nivelin më të lartë, e këta janë Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq,  dhe kryeministri Ivica Daçiq.