Konfirmohet, nuk ka varrezë masive në Zhilivodë
Nuk ka varrezë masive në Zhilivodë të Vushtrrisë, ka konstatuar EULEX-i, ku edhe pas shumë gërmimeve nuk kanë mundur të gjejnë asnjë gjurmë të mbetjeve mortore të 26 serbëve, për të cilët ishte dyshuar se ndodheshin në këtë lokacion, të hulumtuar më herët edhe nga UNMIK-u.
Një i ashtuquajtur koordinator i shoqatës së familjeve me të zhdukur dhe të kidnapuar serbë të Kosovës, Millorad Trifunovic, u ka thënë medieve lokale serbe në Mitrovicës, përfaqësuesit e UNMIK-ut më herët, por edhe të EULEX-it më vonë, se kanë burime nga tri anë, se në atë lokacion ndodhen eshtrat e 26 njerëzve.
“Jam shumë i shqetësuar, nuk mund të besoj në atë që thonë tani. Pyetja ime e vetme është se nëse ata njerëz nuk janë aty, atëherë ku janë, si ka mundësi që të zhduken”, është shprehur Trifunovic, njofton “Zëri”.
Sipas tij, nesër edhe zyrtarisht do të mbyllet procesi i hulumtimit në këtë lokacion, në të cilin siç tha ai kanë ndodhur shumë incidente, ndërsa i fundit ishte zjarri që kishte përfshirë gjithë sipërfaqen që gjurmohej, ndërsa shkaqet nuk dihen.
“Pas atij zjarri kanë gërmuar edhe tri ditë të tjera dhe kanë ardhur në përfundim se aty nuk ka asgjë. E gjithë ngjall dyshime të ndryshme. Ne nuk mund të besojmë, që aq shumë mjete të investuar dhe aq vjet përpjekjeje që janë bërë dhe në fund të mos ketë asgjë”, ka thënë Trifunovic, duke shtuar se gërmimet në Zhilivodë janë ndërprerë disa herë në vitet e fundit, ndërsa si shkaqe për ndërprerjet janë theksuar kushtet e këqija atmosferike dhe rrafshimi i terrenit ku janë bërë gjurmimet.
Sipas tij, ndonëse EULEX-i vetë ka thënë se atje ndodhen mbetjet mortore të 26 njerëzve, në mesin e të cilëve edhe minatorë të Bellaqevcit, të enjten në ora 11:00 edhe zyrtarisht përmbyllet hulumtimet, do të jenë prezentë edhe përfaqësuesit e komisioneve për të zhdukurit, të Prishtinës dhe të Beogradit. /Telegrafi/