Kalo te lënda

EULEX-i përfundon mandatin më 15 qershor 2014

Qeveria e Kosovës ka propozuar që mandati i EULEX-it të përfundojë më 15 qershor 2014. Plani për tranzicionin e misionit EULEX parasheh tri faza, ku faza e parë duhet të fillojë në shtator të këtij viti deri në mars të vitit që do të vijë; faza e dytë do të jetë nga marsi deri në shtator të vitit tjetër; dhe faza e fundit nga shtatori deri më 15 qershor të vitit 2014, kur parashihet edhe përfundimi i mandatit të EULEX-it në Kosovë, me përjashtim të Taks-forcës Speciale.

Fillimi i këtij tranzicioni do të fillojë si letërkëmbim në mes të Presidentes së Kosovës dhe baroneshës Katherin Ashton, si një marrëveshje institucionale, e cila më pas do të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Këto deklarime i ka dhënë sot zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës.

“Faza e parë duhet të fillojë në shtator të këtij viti deri në mars të vitit që do të vijë; faza e dytë do të jetë nga marsi deri në shtator të vitit tjetër; dhe faza e fundit nga shtatori deri më 15 qershor të vitit 2014, kur parashihet edhe përfundimi i mandatit të EULEX-it në Kosovë, me përjashtim të Task-forcës Speciale. Natyrisht që kemi pasur negocim me EULEX-in lidhur me atë se si të vazhdohet mandati, pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë dhe kemi ardhur në përfundim, pas shumë negociatash, që të bëjmë një letërkëmbim bilateral në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës, respektivisht Presidentes dhe zonjës Ashton, letër e cila pastaj do të miratohet në Kuvendin e Kosovës si formë e marrëveshjeve bilaterale me BE-në”, ka thënë ai.

Sipas Kuçit, e para e kësaj çështjeje ka të bëjë me bazën legale. Baza legale, sipas tij, thekson 17 shkurtin e vitit 2008, thekson 8 shkurtin e vitit 2008 si ftesë dhe si vendim i Këshillit të Ministrave të BE-së. Ai ka thënë se pas shumë negociatash kanë ardhur në përfundim që të mos përfshihet Rezoluta 1244.

Si çështje të dytë, Kuçi e përmendi afatin kohor që duhet ta ketë misioni i EULEX-it në Kosovë dhe propozimi i Qeverisë, sipas Kuçit, është 15 qershori 2014. Ai ka shfaqur shpresën se këtu kanë një përafrim të plotë edhe me akterët e tjerë ndërkombëtarë, përfshirë ata në BE, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kuçi, si çështje të tretë ka përmendur çështjen për emrin, profesionin dhe eksperiencën e gjyqtarëve, prokurorëve e policëve që do të vijnë në misionin e EULEX-it. Ai tha se kanë kërkuar që ata t’i dërgojnë emrat, profesionet e tyre dhe, në një mënyrë, të merret një pëlqim nga Presidentja e Republikës, ngase ata do të fitojnë të drejtën për imunitet dhe privilegje në vendin tonë dhe kjo do të definohet me emër të saktë.

Kuçi tha se në këtë letër kanë theksuar se edhe personat që mbajnë armë nga EULEX-i duhet të dërgojnë letër për njoftim në Ministrinë e Punëve të Brendshme(MPB), e cila duhet të aprovohet nga vetë ministri. Ai tha se letra këmbyese e baroneshës Ashton është paraparë të kuptohet si letër kthyese, apo përgjigje pozitive dhe jo si letër unilaterale për Republikën e Kosovës.

Ai po ashtu e ka njoftuar kryeministrin dhe kabinetin e tij se sot do ta dërgojmë draftin final në Bruksel dhe ka shtuar se presin që kjo procedurë të përfundojë brenda këtij muaji dhe në muajin shtator, bashkë me amendamentin e kushtetutës, të përfshihet në miratim edhe kjo letër në Kuvendin e Kosovës.

Thaçi: Shtatori e tetori- të rëndësishëm për Kosovën Prioritetet dhe agjendat e planifikuara për t’u zbatuar nga ana e qeverisë së Kosovës janë duke u kryer me përpikëri të plotë, ndërkohë që rifillimi i punës së Kuvendit pritet më 20 gusht, për të kryer obligimet për ndryshimet e nevojshme kushtetuese, tha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Duke folur për zhvillimet e ardhshme në skenën politike të vendit, ai theksoi se muajt shtator dhe tetor do të jenë të rëndësishme për Kosovën.

“Muajt shtator dhe tetor do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishëm për shtetin e Kosovës, për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, si dhe për agjendën evropiane për Republikën e Kosovës”, u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar.

Ai tha se pret që në këto procese të ketë një angazhim të përbashkët ndërmjet qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, të gjitha partive politike, shoqërisë civile dhe të gjithë shoqërisë kosovare. Thaçi theksoi se qeveria e Kosovës është “mjaft stabile dhe efektive” dhe se para afatit ligjor dhe kushtetues nuk do të ketë as ndonjë koalicion të ri e as zgjedhje të parakohshme.