Kalo te lënda

Sot nis gjykimi i Haxhës dhe i të tjerëve

EULEX-i është kujdesur që një profesor universiteti ta gjykojë në një ambient universitar.

Shyqyri Haxha profesor në një universitet të Kentit në Britani të Madhe do të nisë të gjykohet prej së martës.

Seanca është caktuar të mbahet në sallën e gjykimeve të Fakultetit Juridik, në të cilën studentët kryejnë praktikën. Mirëpo, akuzat që rëndojnë mbi të nëse vërtetohen karrierës së tij universitare do t’i japin fund.

Kundër ish-kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Haxha, kryetarit të Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, si dhe vëllezërve Shkëlqim e Blerim Devolli, si dhe avokatit të tyre Ismet Bojku do të nisë të martën procesi gjyqësor që ka të bëjë me marrëveshjen për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (ORRMV), të arritur ndërmjet PTK-së dhe Dardafon-it Sh.p.k dhe bartjen e mëvonshme të licencës për Dardafon.net Sh.p.k në vitin 2008 dhe 2009, shkruan koha.

Mbi Shyqyri Haxhën dhe Rexhë Gjonbalajn rëndojnë nga tri pika të aktakuzës – lidhja e kontratave të dëmshme dhe dy pika për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Mbi Ismet Bojkun, Blerim Devollin dhe Shkëlqim Devollin, pronarë të kompanive private që i përkasin Devolli Group rëndojnë nga tri pika të aktakuzës – mashtrim, lidhja e kontratave të dëmshme, falsifikim i dokumenteve.

Haxha ka thënë të hënën se është i pafajshëm. Ka insistuar se pafajësia e tij do të konfirmohet nëse do të ketë drejtësi. Këtë ka thënë se ia kanë garantuar disa avokatë me renome botërore./Indeksonline/